“Shqip”, turizmi dhe ekonomia

28/07/2014 00:00

Në takimin e fundit për këtë sezon “Shqip” u zhvendos mes natyrës në Razmë në një emision kushtuar turizmit malor, atij kulturor e bregdetar, turizmit dhe mjedisit, por edhe politikave të autoriteteve për të identifikuar dhe krijuar një model turistik ku të orientohen sipërmarrësit për të thithur turistët.

Në pjesën e parë në panel ishin të ftuar sipërmarrës të suksesshëm vendorë që rrëfyen ngritjen e aktiviteteve të tyre në dobi të turizmit. Dikush hotelerinë, një tjetër furnizimet bazë për këtë sektor.

Në pjesën e dytë Drejtorja e Politikave të Zhvillimit të Turizmit Rural, Nevila Popa tha se vendimet e para të qeverisë në këtë sektor kanë qenë rishikimi i ligjit të turizmit dhe e strategjisë së zhvillimit të tij. Ajo tha se strategjia e re bazohet në tre drejtime që nuk ecin njësoj, por që ecin paralelisht me njëra-tjetrën; turizmi i bregdetit, turizmi i kulturës dhe ai i natyrës e rural.

I ftuar kryeredaktori i  Top Channel, Enkelejd Llanaj u ndal tek politikat e qeverisë. “Problemi qendron tek politikat, duhen politika shtetërore dhe ato vendore për të zhvilluar sektorët e caktuar, për të tërhequr investitorë të huaj e më pas. E rëndësishme është që të krijojmë një model dhe këtë e ka në dorë shteti”, tha ai.

Mjedisi dhe pastërtia e tij lidhen pashmangshmërisht me ndërtimin e një turizmi model dhe që tërheq investitorë në çdo kohë. Për të folur këtë, pjesën e tretë në të “Shqip” iu bashkua Ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ai foli për disa vendime dhe investime të institucionit që ai drejton.

“Janë bërë investime në parqe dhe zona të mbrojtura, kemi nisur investimet në Parkun Lurës, në Divjakë, në Shëtitoren e Drinit në Lezhë, në Prespë dhe në shumë zona të tjera të mbrojtura. Është një fillim i mbarë, por ka zona që kërkojnë shumë herë më shumë investime. Shqipëria sot është më e pastër, por nuk është e pastër. Me urdhër të Kryeministrit po ngrihet një drejtori që do të ketë mjetet e duhura për të bërë pastrimin e akseve nacionale, pastrimin dhe mbjelljen e pemëve. Aktualisht jemi në momentet e zgjidhjes përfundimtare të problemit për mbetjet. Do shkojmë drejt menaxhimit të integruar të mbetjeve, riciklimit 100 përqind të mbetjeve dhe gradualisht nuk do të ketë më landfille”, tha ministri Koka.

Me Razmën emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga përmbylli ciklin prej 8 emisionesh kushtuar si çdo vit turizmit.

Razma erdhi pas Korçës së agro-turizmit, Himarës së detit dhe malit, Durrësit të lashtë sa Roma, Sarandës së jahteve dhe udhëtarëve të shumtë të huaj, me rizbulimin e Fishtës për të kulmuar për herë të parë në Plavë dhe Guci, në zonat gjeografike të trungut shqiptar ku ndrijnë dy “margaritarët” e Gadishullit Ballkanik.

“Shqip” në Top Channel çeli 12 vite më parë rrugëtimin për të zbuluar Shqipërinë turistike. Në atë kohë flitej për mungesën e ujit dhe dritave, më pas u fol për destinacione të bukura, për Shqipërinë e panjohur turistike dhe sot flitet për projekte, për projekte bashkëpunimi si ai që lidhin Alpet apo që sjellin Gjakovën në Pogradec, për projekte bashkëpunimi si ai mes Vuthajt dhe Valbonës, për projektet e fermave që rizgjuan traditën e prodhimit shqiptar. 12 vjet më pas “Shqip” foli për hotelerinë, për fillesat e mira të arsimit profesional në turizëm, për nevojat e harmonizimit të turizmit me mjedisin. Në fund të këtij edicioni “Shqip” solli produktin shqiptar, solli dëshmitë e njerëzve që besojnë se turizmi është sektori që do të ringrejë ekonominë shqiptare.

Top Channel