Masakrat e ISIS në Siri

29/07/2014 00:00

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me bazë në Londër, ka raportuar se në 10 ditë në Siri kanë vdekur rreth 1.600 persona, si pasojë e dhunës së militantëve të ISIS.

Në rrjetin e internetit ‘Youtube’ janë publikuar edhe disa video me ekzekutime makabre në qytetin e Rekas. Videot amatore tregojnë aktet e dhunës që ISIS ka ushtruar kohët e fundit.

Ato u shfaqën në internet së bashku me lajmin se grupi islamik konfiskoi dhe bazën e fundit të Sirisë në qytetin e Rekas. Më parë OKB-ja kishte thënë se ISIS, luftëtarët e Shtetit Islamik në Irak e Levant, mund t’i shtohen listës së të dyshuarve për krime lufte në Siri.

Ata janë kandidatë për këtë listë, tha kreu i hetimit të Kombeve të Bashkuara, Paulo Pinheiro, duke përmendur ekzekutimet publike dhe kryqëzimet e njerëzve që i faturohen grupit militant.

Në një deklaratë të përbashkët, ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, dhe ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, kanë dënuar “në mënyrën më të ashpër” sulmet ndaj të krishterëve, nga terroristët e ISIS në Irak.

Qeveria franceze ka ofruar ndihmë humanitare dhe, në ditët e ardhshme, do të këmbëngulë fort për mbrojtje ndërkombëtare për të krishterët.

“Ne i ndihmojmë të zhvendosurit, që ikin nga kërcënimi i ‘Shtetit Islamik’, dhe kanë kërkuar strehim në Kurdistan”, deklaruan ministrat në Paris, duke shtuar se pranimi i të krishterëve irakianë në Francë duhet inkurajuar.

Top Channel