Rikthehet normaliteti në Kakavijë

29/07/2014 00:00

Në pikën kufitare të Kakavijës është kthyer normaliteti pas problemeve të hasura një ditë më parë në anën greke të kufirit.

Sipas informacioneve të fundit, situata mëngjesin e së martës paraqitet normale dhe qarkullimi hyrje-dalje i udhëtarëve po bëhet pa probleme.

Burime pranë policisë kufitare shqiptare njoftojnë se defekti në sistemin kompjuterik të palës greke u riparua rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Me qindra qytetarë shqiptarë kishin mbetur të bllokuar në radhë në hyrje për në Greqi për shkak të defektit elektronik, të njoftuar nga pala greke pak pas mesditës së djeshme.

Qarkullimi u pengua plotësisht në të dy anët e lëvizjes duke shkaktuar radhë të gjata. Rreth orës 18:00 pala greke vendosi të lejonte hyrjen në Shqipëri, duke regjistruar në librin e posaçëm të gjithë shtetasit.

Ndërsa fluksi në dalje vijoi i kufizuar pasi u lejuan të kalonin vetëm shtetasit e huaj, qytetarët grekë dhe shtetasit shqiptarë që kishin dokumenta e leje qëndrimi 10-vjeçare në Greqi.

Ky problem i shfaqur në Kakavijë erdhi në një moment tensioni mes dy vendeve për shkak të reformës territoriale që maxhoranca pritet të miratohet ketë të enjten në parlamentin e Shqipërisë.

Greqia, përmes ministrit të saj të Jashtëm Evangjelos Venizelos, ka ndërhyre në punët e brendshme për çështjen e Himarës, popullësinë e të cilës e konsiderojnë minoritet grek.

PBDNJ dhe Omonia kundërshtojnë bashkimin me Vranishtin, ndërsa qeveria është e vendosur të mos ndryshojë variantin e saj.

Gjithësesi, ky problem u shfaq vetëm në Kakavijë, ndërsa nuk ka pasur probleme në pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë.

Top Channel