Në prag të përfundimit të mandatit të tij, si kryeprokuror i Task-Forcës speciale hetimore të BE-së, ish-diplomati amerikan Clint Williamson paraqiti rezultatet e hetimit të kryer në Bruksel, nga 25 specialistë, për plot 2 vjet e gjysmë, bazuar në akuzat e ngritura nga senatori Dick Marty, në raportin e 2011-s të Këshillit të Europës, për akte çnjerëzore dhe krime të kryera menjëherë pas luftës në Kosovë.

Prokurori amerikan shpjegoi se, për një pjesë krimesh të kryera nga drejtues të UÇK-së, kryesisht ndaj kundërshtarëve të tyre politik dhe minoriteteve etnike serbe e rome, si tortura apo vepra të ngjashme, nuk mund të ketë ndjekje penale për shkak të kufizimit brenda 15 vjetësh, por aktakuza e mundshme do të përqendrohet te veprat kriminale, që parashikon e drejta ndërkombëtare, ku nuk ka limit kohor të përcaktuar.

“Ne besojmë se dëshmia është bindëse, për të provuar se këto krime nuk ishin vepra individësh arrogantë, që vepronin sipas mendjes së tyre, por më tepër drejtoheshin në mënyrë të organizuar dhe të sanksionuar, nga disa individë të nivelit të lartë në krye të udhëheqjes së UÇK. Gjithëpërhapja, apo natyra sistematike e këtyre krimeve, në periudhën pas lufte, që përfundoi në Qershor 1999, justifikon ndjekjen penale për krime kundër njerëzimit. Në përputhje me rrethanat, ne parashikojmë se akuza të tilla mund të ngrihen ndaj disa zyrtarëve të lartë të ish UÇK-së, dhe se një padi gjithashtu mund të ngrihet për krime lufte e disa dhunime të ligjeve të Kosovës, përfshirë vrasjen”, tha Clint Williamson, kryeprokuror i TFSH së BE-së.

Williamson nuk dha emra të veçantë, por memorandumi sqarues i raportit të Dick Marty-t përmend si të dyshuar për përfshirje në këto krime, emrat: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Shaip Muja, Azem Syla, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, e të tjerë, të përfshirë në të ashtuquajturin “grupi i Drenicës”.

Gjithsesi, padia, ku do të përfshihen disa emra, mund të ngrihet vetëm pas krijimit të Gjykatës së Pposaçme në Kosovë, “mbase në fillim të vitit të ardhshëm” shpjegoi prokurori amerikan, i cili e konsideroi të paprecedent këtë situatë për drejtësinë ndërkombëtare, ndërsa vlerësoi se intimidimi i dëshmitarëve qëndron si një re e zezë, mbi Kosovën dhe perspektivën e saj europiane.

Ndërkohë që, trafiku i organeve rezulton të ketë ndodhur për disa individë, dhe jo në masë siç pretendohej.

“Përdorimi i fjalës ‘një grusht’ individësh nga senatori Marty, ishte i qëllimshëm dhe me kuptim të drejtpërdrejtë. Në këtë moment, nuk ka tregues se kjo praktikë ishte më e përhapur se kaq dhe, sigurisht, nuk ka tregues, që një pjesë domethënëse e minoriteteve etnike që kanë humbur, apo janë vrarë, ishin viktima të kësaj praktike. Deklaratat për qindra njerëz të vrarë, me synimin e trafikut të organeve, janë tërësisht të pambështetura me informacionet që ne kemi, dhe që Dick Marty ka pasur”, u shpreh Ëilliamson.

TCH: Në raportin e tij, Dick Marty flet për krime të kryera edhe në Shqipëri. Meqenëse ju keni pasur një bashkëpunim të mirë me autoritetet vendase, gjetjet tuaja a i dëshmojnë pretendimet e Dick Marty, përsa i takon territorit shqiptar?

Williamson: Jam i kufizuar përsa i takon detajeve, që mund të jap mbi gjetjet e hetimit. Por, siç deklarova në fillim, përgjithësisht, gjetjet tona janë në përputhje me çfarë thuhet në raportin e Dick Marty-t. Fokusi ynë ishte tërësia e territoreve të përmendura në raportin ‘Marty’, që përfshin Kosovën dhe Shqipërinë.

Williamson largohet më 23 Gusht dhe BE nisi proçedurën e zgjedhjes së pasuesit të tij, në konsultim me 28 vendet anëtare dhe 5 shtetet e tjera kontribuese: SHBA, Kanada, Norvegji, Zvicër e Turqi.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Komente për raportin e Williamson
Qeveria e Kosovës: Do bashkëpunojme deri në fund të hetimeve

Publikimi i raportit të Clint Williamson, kryeprokurorit të Task-Forcës speciale hetuese, që konfirmoi se do të ngrihen aktakuza për ish-udhëheqës të UÇK-së, ndërsa nuk do të ndërpriten hetimet për trafikimin e organeve, është komentuar në forma të ndryshme në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë për media, përmes së cilës ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Task-Forcën speciale, deri sa hetimet të marrin fund.

Në deklaratën e Qeverisë, thuhet se Kosova e ka dëshmuar gatishmërinë e saj për bashkëpunim, edhe nga miratimi që është bërë në Kuvendin e Kosovës për krijimin e një Dhome të veçantë, për t’i adresuar këto çështje.

Në LDK nuk preferojnë të flasin për përmbajtjen e raportit të Williamson, edhe pse kryeprokurori sqaroi, gjatë publikimit të raportit, se Gjykata Speciale do të trajtojë edhe vrasjet politike të pasluftës në Kosovë.

“Mendojmë se është një raport i përgjithësuar, ashtu siç dhe është pritur. Ka hapur disa fusha, për të cilat pritet të ketë një numër akuzash. Meqë ne nuk dimë shumë detaje, nuk dëshirojmë të komentojmë. Ne mund të komentojmë vetëm për pjesën që lidhet me institucionet, sepse jemi gati që të ndihmojmë, si institucione dhe si politikë e Kosovës, që Gjykata të funksionalizohet ashtu siç kemi marrë përgjegjësi, dhe që t’i mundësohet të funksiojë si e pavarur dhe e paanshme”, tha Kujtim Shala, deputet i LDK.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, këshilltari i parë i Ramush Haradinajt ka thënë se raporti i ambasadorit Williamson nuk ka njollosur karaterin e luftës së UÇK-së, ndërsa individët e caktuar duhet të dëshmojnë pafajësinë e tyre në sallën e gjyqit.

“Ne, në përgjithësi, mendojmë se raporti është një hap drejt sqarimit të akuzave, që janë paraqitur prej kohësh qoftë në media, qoftë në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Konsiderojmë se ky hap është i rëndësishëm, për sqarimin e këtyre akuzave, për vendosjen e sundimit të ligjit dhe, çka nuk është përmbyllur në këtë fazë, besojmë e shpresojmë që do të përmbyllet në fazat e mëtejshme”, tha Avni Arifi, AAK.

Ndryshe nga përfaqësuesit politik, avokati Tomë Gashi, që është marrë edhe gjatë Tribunalit të Hagës me aktakuza të ngritura ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, vlerëson se raporti i publikuar nga ambasadori Williamson, do të mbajë edhe për një kohë të pacaktuar peng udhëheqësit më të lartë të ish-UÇK-së, një pjesë e të cilëve janë, apo pretendojnë të jenë, udhëheqës të lartë shtetëror.

Sipas Gashit, hetimi për akuzën sensacionale për dyshimet e trafikut të organeve njerëzore, qëllimisht nuk është përmbyllur as këtë herë.

Top Channel