Kalohet me debate ligji për policinë

29/07/2014 00:00

Takimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, përpara diskutimit të projektligjit për Policinë e Shtetit, me kryetarin e komisionit të sigurisë, Spartak Braho, ka sjellë votën pro të këtij të fundit për variantin e shkrirjes së Gardës.

Me gjithë ndryshimin e qendrimit të kryetarit të komsionit, shumica e deputetëve të mazhorancës kanë votuar kundër variantit të propozuar nga Ministria e Brendshme. E me gjithë votimin e shumicës së komisionit të sigurisë, për të mos e ndryshuar funksionimin aktual të Gardës së Republikës, deri në hartimin e një projektligji të ri për të, ky nen i shumëdiskutuar do t’i mbetet vendimit të seancës, ditën e enjte.

Por, neni i Gardës së Republikës nuk ishte i vetmi në projektligjin për Policinë e Shtetit, që shkaktoi debate dhe kundërshti të forta. Relatori Arben Çuko, kundërshtoi variantin e Ministrisë për gradat dhe karrierën në Policinë e Shtetit. Propozimi i tij për ta ndryshuar këtë nen, u votua pro nga shumica e anëtarëve të komisionit, që i dhanë të drejtë gjykimit të tij se, me ndryshimet e propozuara nga Ministria nuk motivohet karriera në polici.

Bilbil Mema: Në qoftë se do ndryshojmë ato nene që ju votuat, do të ndryshojmë tërësisht frymën e ligjit.

Spartak Braho: Ne votuam ndryshimin, i cili prish strukturën e ligjit dhe duhet të vijë i shoqëruar me të tëra sinkronizimet. Seanca le ta votojë.

Por, ndryshimi i nenit për gradat, që përbën thelbin e ndryshimeve ligjore për Policinë e Shtetit, prek të gjithë draftin e ardhur nga Ministria e Brendshme. Për këtë shkak, pas shumë debatesh, deputeti Çuko tërhoqi propozimin për gradat, por ajo që u pa qartazi ishte pakënaqësia e shumicës së deputetëve për këtë pikë.

Arben Çuko: Le ta lëmë strukturën e ligjit ashtu siç është. Përsëri po ju them me bindje se shumë shpejt, ju vetë do të vini sërish këtu, sepse kështu siç e keni lënë, unë e shoh karrierën e policisë si një pellg me ujë të ndenjur.

Pjerin Ndreu: Jam ende i paqartë, uluni ta shohim pikën 55, mos e votoni kështu në tërësi.

Luan Rama
: I bëjnë ligjet në këmbë, vijnë e i ndryshojnë përpsëri pas 6 muajsh. Nëse janë injorantë ata që bëjnë projektligjet, nuk do të thotë të jemi injorantë ne që vendosim për ligjet.

Deputetët e mazhorancës, gjithashtu, nuk ishin në një mendje edhe për dokumentin e strategjisë kombëtare. Luan Rama kundërshtoi heqjen e nenit, që parashikonte ngritjen e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në draftin e rishikuar nga Këshilli i Ministrave. Kundërshtimi i tij gjeti mbështetjen e zv/ministrit të Jashtëm, Sokol Dervishaj. Në këto kushte, ishte Taulant Balla që mbrojti variantin e qeverisë. Megjithatë, drafti i sigurisë kombëtare u votua në komision.
Dokumenti i fundit i sigurisë kombëtare, i hartuar dhe miratuar nga një qeveri, ishte plot 10 vjet më parë.

Top Channel