Shkolla fiktive shpërndanin diploma

29/07/2014 00:00

Ministria e Arsimit do t’i vërë drynin disa shkollave të mesme private të cilat për disa vite jo vetëm nuk kanë funksionuar, por kanë zhvilluar mësimin në mënyrë fiktive.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka deklaruar para komisionit të medias dhe arsimit se janë me dhjetëra nxënës që edhe pse nuk kanë shkuar në shkollë janë pajisur me diplomë.

“Në totalin e maturës shtetërore kemi shënuar kalueshmëri prej 67 për qind dhe 33 për qind mbetje. Janë përgjithësisht shkolla të liçencuara private part time, që rezultojnë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës dhe në pjesëmarrjen e nxënësve në mësim. Inspektimet ndaj tyre në vitet e fundit kanë qenë inekzistente. Ne jemi të vendosur që këto realitete t’i ndryshojmë”, deklaroi Nikolla.

Këtë vit shkollor duhet të rishikohen të paktën 120 tekste nga autorët, pasi në to janë hasur shumë gabime. Nëse ato nuk do të jenë rishikuar, atëherë ministria nuk do t’i pranojë.

Ndërkaq, mbi 30% e mësuesve në gjithë vendin nuk e kanë kaluar provimin e shtetit të mësuesisë, kjo edhe pse është rritur pragu i cili synon rritje të cilësisë në mësimdhënie.

“Kemi shifrat mbi 30 për qind e mësuesve nuk kaluan dot provimin. Kryefjala jonë mbetet kualifikimi i një lloji të ri, jo si ai që ka qenë deri më sot, që kishte promovuar njerëz dhe këshilltarë të ish-kryeministrit”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se edhe matura shtetërore tregoi se “cut off” përdorej sipas ritmeve të politikës, e cila kishte në strategji punësimin e 90% të maturantëve, edhe pse nuk i ofronte asnjë cilësi dhe të ardhme.

Top Channel