Analizohen kutitë e zeza të avionit

29/07/2014 00:00

Të dhënat e nxjerra deri tani nga kutitë e zeza të avionit të rrëzuar në Ukrainë, të cilat po analizohen nga ekspertë britanikë, konfirmojnë se Boingu pati humbje të madhe presioni prej fragmenteve të një rakete.

Pohimet i bëri zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Andriy Lysenko, në kohën kur forcat e sigurisë janë duke intensifikuar fushatën kundër rebelëve në lindje të vendit.

Lysenko gjithashtu akuzoi separatistët për bombardimin e zonës ku është rrëzuar avioni, në përpjekje për të shkatërruar provat e përfshirjes së tyre në rrëzimin e tij më 17 korrik, episod ky që i kushtoi jetën 298 personave në bord, shumica e të cilëve shtetas holandezë.

“Avioni ka pasur një dekomprensim masiv shpërthyes dhe tani nuk ka më asnjë dyshim se shkak është bërë goditja prej fragmenteve të një rakete”, deklaroi Lysenko.

Vetë ekspertët britanikë që kanë analizuar të dhënat e kutive të zeta nuk bënë komente mbi pretendimin e  Lysenkos, i cili nuk u konfirmua as nga holandezët, që përgatiten të nxjerrin nga fundi i javës një raport të plotë mbi këtë çështje.

Luftimet e së hënës pranë vendit ku u rrëzua avioni kanë detyruar hetuesit ndërkombëtarë të heqin dorë nga planet për të vizituar zonën për të dytën ditë me radhë.

Një ditë më parë, kryekomisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay deklaroi se rrëzimi i avionit të “Malaysia Airlines” mund të përbëjë krim lufte dhe kërkoi një hetim të plotë, efikas, të pavarur e të paanshëm mbi këtë tragjedi.

Top Channel