Reus refuzon kontratën e re me Dortmund

29/07/2014 00:00

Marco Reus refuzon të nënshkruajë kontratën e re me Borusian e Dortmundit duke paralajmëruar kështu një tjetër largim të bujshëm nga verdhezinjtë.

24-vjeçari nuk është i sigurtë nëse Dortmundi është vendi i duhur për të marrë maksimumin në karrierën e tij si futbollist.

“Futbollistët një karrierë kanë dhe të gjithë përpiqen të marrin maksimumin prej saj. Duhet të vendosesh se çfarë është më e mira për ty”, deklaroi ai para pak ditësh.

Reus, që humbi botërorin e Brazilit për shkak të një dëmtimi të pësuar pak ditë para nisjes së tij kërkohet nga gjysma e Europës, përfshirë këtu emra e mëdhenj të futbollist, si Bajerni i Mynihut, Manchester United dhe Barcelona.

Aktualisht Manchester United është skuadra që ka përparuar në drejtim të marrjes së tij. Lojtari kërkohet me ngulm nga Van Gaal që e sheh si futbollistin perfekt në fazën ofensive. Por një ofertë që nuk mund të refuzohet mund të mbërrijë edhe nga Bajerni i Guardiola-s që pas largimit të Tony Kroos dhe me shumë gjasa edhe të Xherdan Shaqirit, do të kërkojë zëvendësuesit.

Sa për Barcelonën, katalanasit kanë shfaqur prej kohësh interesimin e tyre, por vazhdimisht janë tërhequr përballë refuzimit të prerë të Dortmundit për të diskutuar për të ardhmen e Reus.

Klauzola e zgjidhjes së kontratës mes 24-vjeçarit dhe Dortmundit është vendosur 40 milion euro, por me këtë refuzim ankandi është i hapur dhe verdhezinjtë në pamundësi për t’i mbushur mendjen për të qendruar, ndoshta do të kërkojnë të përfitojnë sa më shumë prej shitjes së tij.

Top Channel