SHBA, një tjetër krizë financiare?

29/07/2014 00:00

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut po heton ndaj bankës britanike “Barclays”, për shkak të praktikave të papastra në tregjet financiare. Në media përmendet rreziku i një krize tjetër financiare, si ajo që gjunjëzoi Amerikën, e paskësaj edhe pjesën tjetër të botës në 2008-n.

Në fillim të Korrikut, në bursën e Nju Jorkut kishte arsye për të festuar, thotë “Deutsche Welle”. Indeksi “Dow Jones” arriti, për herë të parë në histori, të shënojë 17,000 pikë. Kujtimet e krizës së madhe u dukën në atë moment larg. Por, ky ishte gabim, thonë shumë.

6 vjet më parë ishin produktet financiare toksike, që shkaktuan rënien e sistemit, sot struktura e tregjeve financiare mund të gjenerojë vetë goditjen tjetër. Tregu financiar përbëhet jo vetëm prej bursave të mëdha, por është i copëtuar në shumë tregje të vogla. Kjo e bën më të vështirë kontrollin.

Një shembull për këtë janë të ashtuquajturat pellgje të errëta, ku zhvillohet 15% e aksioneve në SHBA. Këto janë bursa private të bankave, të kompanive të sigurimit dhe fondet “hedge”. Ekspertët thonë se tregtarët me frekuencë të lartë të këtyre organizmave të errëta privilegjohen dhe i marrin informacionet për lëvizjet në bursë më shpejt se të tjerët.

Rreziqe të tjera të paparashikuara po krijohen edhe prej dixhitalizimit dhe përshpejtimit të tregtisë së aksioneve. Specialistët shprehen se askush nuk mund ta parashikojë, nëse në një moment tjetër paniku, papritur, nuk do të ketë sërish shumë njerëz dhe kompjutera, që do të duan të shesin njëherësh aksionet dhe të shkaktojnë një “crash” tjetër.

Ata propozojne si masë parandaluese frenimin e tregtisë për disa sekonda, nëse vihet re se ka shumë palë, që duan të shesin në të njëjtën kohë.

Top Channel