Hamasi refuzon planin e paqes nga Abbas

29/07/2014 00:00

Hamasi ka refuzuar gjatë së martës thirrjet e liderit palestinez në Bregun Perëndimor për një armëpushim 24 orësh, për të ndalur gjakderdhjen në Gaza.

Një raport i publikuar nga agjencia palestineze e lajmeve “WAFA”, bënte të ditur se lideri i Fatahut kishte ofruar një armëpushim 24 orësh, që mund të shtyhej deri në 72 orë, dhe se idea kishte marrë mbështetjen nga Hamasi e Xhihadi Islamik, një tjetër grup militantësh në Gaza.

Por, Sami Abu Zuhri, një zëdhënës i Hamasit në Gaza, tha se raporti i “WAFA” nuk ishte i vërtet dhe “nuk lidhej me rezistencën”, e që “flet vetëm në emër të tyre”.

“Kur të kemi marrë garanci nga zionistët për një ndërmjetësim ndërkombëtar në lidhje me armëpushimin humanitar, atëherë ne do ta marrin në konsideratë atë”, tha ai për televizionin Hamas TV.

Izraeli nuk ka dhënë ndonjë deklaratë mbi këtë raport, por ka dënuar vazhdimisht Hamasin se ka refuzuar propozimet e Egjiptit për armëpushime, të cilat janë pranuar nga Izraeli. Disa armëpushime të përkohshme janë mbajtur deri më tani, përgjatë konfliktit, teksa secila palë ka nisur menjëherë të akuzojë kundërshtarët për shkeljen e tyre.

Një ditë më parë, populli i Gazës kishte shpresuar për një armëpushim të mundshëm, por mëngjesin e së martës shpresat u venitën, ashtu sikurse dhe dritat për shumicën, pasi u godit i vetmi plantacion energjitik i Gazës.

Sulmet me raketa të Hamasit dhe sulmet ajrore të Izraelit, por edhe ofensiva nga toka, jo vetëm që nuk kanë treguar asnjë shenjë tërheqjeje, por luftimet janë instensifikuar në disa zona, veçanërisht në qytetin e Gazës, zona më e banuar e territorit.

“Një natë me dhunë të intensifikuar ka përkeqësuar krizën humanitare të Gazës dhe zhvendosjen e banorëve”, tha Chris Gunness, zëdhënës i agjencisë së OKB në Gaza. Më shumë se 180 mijë të zhvendosur palestinezë janë mbledhur në 82 mburoja, tha ai.

Më shumë se 1100 palestinezë kanë vdekur, sipas zyrtarëve të mjekësisë në Gaza. Numri i militantëve është i paqartë, por OKB përllogarit se më shumë se 70% e viktimave kanë qenë civilë.

53 janë nga ana tjetër ushtarët e vrarë izraelitë, që prej nisjes së operacionit për mbrojtjen e vendit në 8 Korrik. Edhe në Izrael janë vrarë 3 civilë. Izraeli ka zbuluar 32 tunele të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë dhe për të lëshuar raketat në drejtim të Izraelit, bëjnë të ditur Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Top Channel