BE miraton sanksionet e reja ndaj Rusisë

29/07/2014 00:00

Barack Obama deklaroi se sanksionet ndaj Rusisë tashmë janë rritur. Në një fjalim për shtyp, presidenti i SHBA-ve etiketoi në qendër të akuzave Vladimir Putin, dhe tha se do të merren masa edhe ndaj tij.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk harroi të theksonte rolin që SHBA-të luajnë në politikën e jashtme dhe u shpreh se do të jenë prezent kudo, ku do ketë nevojë për ndërhyrje.

Ndërkaq, në fjalën e tij, Obama tha se policia e “huaj” u tregua shumë e dobët në konfliktin e Ukrainës, me rebelët pro-rusë. Por, ai nuk harroi të theksonte mbështetjen e tij të vazhdueshëme për qeverinë e Kievit.

Më herët, Bashkimi Europian arriti një marrëveshje mbi sanksionet e reja ndaj Rusisë, të cilat do të prekin sektorët e saj të financës, energjitikës dhe të mbrojtjes, kjo për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Individë rusë me poste të larta, por edhe entitete të fuqishme, janë subjekte të sanksioneve të reja të BE-së, të cilët akuzohen për rolin e tyre në krizën në Ukrainë.

Detajet janë ende të papublikuara, por deklarata e plotë mbi sanksionet e reja pritet të jepet të mërkurën, kur BE të japë edhe emrat e zyrtarëve të tjerë rusë, që do të përballen me ngrirje të aseteve dhe ndalim fluturimi në Europë, përveç sanksioneve që do të shënjestrojnë sektorin e naftës, pajisjet mbrojtëse dhe ato të teknologjisë së fundit. Gjithashtu, besohet se do të ndalet edhe aksesi i bankave shtetërore ruse ndaj tregut të kapitalit në Europë.

Thirrjet kundrejt BE-së për të reaguar kanë gjetur argumente të mjaftueshme edhe me rrëzimin e fluturimit MH17 në Lindje të Ukrainës. Një ekip ndërkombëtar ka dështuar sërish të sigurojë akses në vendin e rrëzimit të avionit, për shkak të luftimeve të ashpra mes forcave qeveritare dhe rebelëve.

Kjo është hera e tretë, në po kaq raste, që ekipi i përbërë nga oficerë policie nga Holanda dhe Australia, janë detyruar të tërhiqen pas përpjekjeve për t’u afruar në vendngjarje. Shumë prej 298 viktimave, që udhëtonin në bordin e fluturimit MH17 të “Malaysia Airlines” ishin holandezë dhe australianë.

Më herët, gjatë së martës, kryeministri holandez Mark Rutte i kërkoi presidentit ukrainas Petro Poroshenko “të ndalte ofensivën” përgjatë vendit të rrëzimit, sipas një zëdhënësi të Rutte-s, të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Ambasadorët e BE-së në Bruksel morën pjesë në një takim, në fund të të cilit dolën me konkluzionin për sanksione të reja. Masat e reja që u diskutuan përfshijnë kufizime ndaj bankave ruse në aksesin e tyre drejt tregjeve europiane, një embargo të armëve dhe reduktim të marrëveshjeve me sektorin energjitik të saj.

Liderët e Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe SHBA-ve kanë diskutuar tashmë sanksionet e reja të mundshme, duke dalë edhe në një videokonferencë të përbashkët gjatë së hënës. Një zëdhënës i kryeministrit britanik, David Cameron, tha më vonë se ai dhe liderët e tjerë europianë kishin arritur marrëveshjen “për të shtuar kostot ndaj Rusisë” për shkak se po mbështesin rebelët në Ukrainë.

Sanksionet e reja të BE-së pritet të hyjnë në fuqi brenda 24 orëve, pas arritjes së marrëveshjes mes 28 shteteve anëtare të bllokut.

SHBA, Thesari zgjeron bankat e sanksionuara

Shtetet e Bashkuara kanë ndëshkuar gjatë së martës kanë shtuar sanksionet e tyre ndaj “VTB”-së, “Bankës së Moskës”, “Bankës për Agrikulturën Ruse”, si dhe “Koorporata e Bashkësisë së Ndërtuesve të Anijeve”, si pasojë e mbështetjes së Moskës për separatistët në Lindje të Ukrainës, bëri të ditur Departamenti i Thesarit.

Ky vendim zgjeron listën e bankave ruse, që kanë rënë prè e sanksioneve amerikane, në pothuajse të gjitha bankat më të mëdha me pronësi shtetërore mbi 50 përqind, përjashtuar “Sberbank”-un.

Sanksionet ndaj 3 bankave të para pengojnë shtetasit apo kompanitë amerikane të kenë marrëveshje me borxhe me afate maturimi mbi 90 ditë, ose me kapital të ri. Sanksionet ndaj kompanisë së ndërtimit të anijeve, me seli në Shën Pjetërburg, kanë bërë të mundur ngrirjen e aseteve të saj që mund të ketë pasur në SHBA, si dhe ndalon transaksionet e amerikanëve me të.

Top Channel