Kinë, ish-shefi i sigurisë hetohet për ryshfet

29/07/2014 00:00

Partia Komuniste e Kinës bëri të ditur të martën se kanë nisur një hetim për korrupsion ndaj ish-shefit të sigurisë vendase, Zhou Yongkang, një prej politikanëve më influencues të vendit gjatë dekadës së fundit, në një çështje që e ka origjinën në një betejë për më shumë pushtet në parti.

Zhou, 71 vjeç, është deri më tani figura më e lartë politike e prekur nga beteja antikorrupsion e presidentit Xi Jinping. Në fakt, Zhou është zyrtari më i lartë kinez, që është përfshirë në kurthin e një skandali për ryshfet, që kur partia erdhi në pushtet në vitin 1949.

Ai ishte anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike, që përbën majën e pushtetit, si dhe mbante postin e Carit të sigurisë, deri kur ai u tërhoq nga jeta politike, në vitin 2012.

Një deklaratë e shkurtër, e lëshuar për të koinciduar me takimin e planifikuar të partisë, thoshte se Zhou po hetohej për “shkelje të rënda disiplinore”, përkufizimi i zakonshëm që përdoret për korrupsionin, e megjithatë hetimi mund të përfshijë edhe shkelje të tjera.

Top Channel