Kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës, për vlerësimin e kushtetueshmërisë së zgjedhjes së kryeparlamentarit, nuk është çështje kushtetutese, të cilën mund ta vlerësojë Gjykata Kushtetutese e Kosovës.

Të paktën, kështu mendojnë subjektet politike LDK-AAK-Nisma, Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët serbë, të cilët së bashku kanë përgatitur kundërargumentet e tyre. Ata kërkojnë, që gjykata ta hedhë poshtë kërkesën e PDK-së si të pabazuar, e të urdhërojë mbajtjen e një seancë dëgjimore, meqë kjo është e nevojshme për të qartësuar provat e kësaj lënde, veçanërisht të Transkriptit të seancës konstituitive të Kuvendit.

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, dorëzoi të martën, pranë gjykatës, kërkesën me 26 faqe komente për rastin konkret, e firmosur nga 67 deputetë. Shala tha se vendimi përfundimtar do të respektohet.

“Mendojmë që kërkesa e PDK-së është e pabazuar dhe, sipas mendimit tonë, Gjykata Kushtetuese në këtë rast nuk ka një objekt kushtetues për trajtim. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të jetë e paanshme, të trajtojë me seriozitet dhe përgjegjshmëri të plotë lëndën që ka përpara. Megjithatë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese ne do ta pranojmë”, tha Kujtim Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.

Në kërkesën e publikuar më vonë, nga zyra e shtypit e LDK-së, fillimisht jepet një pasqyrë e plotë e rrjedhës së seancës së 17 Korrikut, në të cilën fajësohet kryesuesja e seancës për mosrespektim të vendimit të Kryesisë së Kuvendit.

Më pas, në argumentet, të cilat ballafaqohen me çështjet e ngritura nga PDK-ja, thuhet se parashtruesit e kërkesës nuk janë palë, sipas nenit 113.3 (5) të Kushtetutës, i cili thotë se Kuvendi i Kosovës, Presidenti dhe qeveria janë të autorizuar të ngrenë çështje, nëse është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit.

Kjo dispozitë kushtetutuese, sipas LDK-së dhe të tjerëve, përcakton si palë të autorizuar Kuvendin si institucion, për të referuar çështje në Gjykatën Kushtetuese, sa i përket zgjedhjeve për Kuvendin. Parashtruesit e kërkesës, në këtë rast PDK-ja, nuk mund të kundërshtojnë vendimet e Kuvendit, tashmë të zgjedhur, apo vendimet e Kryesisë, meqë kjo dispozitë përcakton vetëm kontestimin e zgjedhjeve për Kuvendin, pra procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, deri në momentin e çertifikimit.

Përkufizimi i grupit parlamentar, të cilin e ka kërkuar PDK-ja, sipas palës tjetër, nuk është çështje kushtetutese, sikurse edhe vendimet e Kryesisë së Kuvendit. Përkufizimi i termit “grup parlamentar” është çështje politike, sepse lidhet ngushtë me vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të rregulluar, nëpërmjet Rregullores së Kuvendit, procedurat e funksionimit të këtij institucioni dhe veprimtarisë së tyre, si deputetë. Trajtimi i kësaj çështjeje politike, nga kjo Gjykatë e nderuar, do të ishte në kundërshtim me “doktrinën e çështjeve politike”, që është e mirënjohur në jurisprudencën evropiane dhe atë amerikane, thuhet në këtë kërkesë.

Sa i përket vendimeve të Kryesisë, jepen shembuj ku gjykata ka thënë se nuk merret me interpretimin e vendimeve të Kryesisë së Kuvendit apo trupave të tjerë, por vetëm vendime të votuara nga deputetët në seancë. LDK dhe të tjerët, po kështu, vlerësojnë se juridiksioni i gjykatës është i kufizuar vetëm në vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimeve të Kuvendit, por jo edhe të rregullores së punës së Kuvendit.

Top Channel