Në pikën doganore të Morinës në Kukës, një ditë pas festës së Bajramit ka fluks të shtuar të shtetasve kosovarë, që udhëtojnë drejt Shqipërisë. Fluksi nisi në orën 5 të mëngjesit të së martës dhe vijon me ritme të larta.

Qëllimi i këtij fluksi masiv është për pushime në bregdet. I gjithë ky fluks në Morinë po përballohet me 9 sportele të ngritura nga ana e policisë kufitare, por megjithatë në anën e Kosovës ka pasur radhë të automjeteve.

Pjesa dërrmuese nisen drejt plazheve të Velipojës e Shëngjinit, si dhe në Durrës, e më pas drejt Vlorës dhe Sarandës.

Kapshticë e Kakavijë, fluks i ulët
Më pak emigrantë kthehen për pushime në Shqipëri

Një situatë krejt tjetër është në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë me Greqinë. Ndryshe nga një vit më parë, në Kapshticë dhe Kakavijë nuk ka dyndje.

Në 24 orët e fundit, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë 3500 emigrantë, ndërsa kanë dalë në drejtim të shtetit grek 2900 persona.

Në Kapshticë, mbrëmjen e së hënës, u krijuan radhë të gjata në dalje, për shkak se kompjuterat e pikës greke të kalimit kufitar janë prishur. Riparimi është bërë gjatë natës dhe, në orën 2 të mëngjesit të së martës, nisi puna normalisht dhe dukshëm ka një fluks të ulët të emigrantëve, që kthehen për pushime në Shqipëri.

Top Channel