Shtohet numri i të vdekurve nga Ebola

30/07/2014 00:00

Virusi i Ebolës, shkaktar i 670 vdekjeve në Afrikën Perëndimore, është një kërcënim për Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, i tha BBC-së se për këtë çështje do të zhvillohet dhe një takim urgjent i komitetit përgjegjës për reagimin ndaj krizave.

Sipas kryediplomatit, asnjë shtetas britanik nuk është prekur deri më tani nga sëmundja vdekjeprurëse dhe në vend nuk ka raportime për raste infektimi, megjithatë, qeveria po e merr këtë çështje shumë seriozisht.

Në fillim të muajit, zyra e Shëndetit Publik lëshoi një paralajmërim për të gjithë mjekët, që të tregojnë kujdes të madh ndaj simptomave të Ebolës.

Njoftimi i Hammond vjen pas lajmit se mjeku Humarr Khan, i cili luajti një rol kyç në luftën kundër viruesit të tmerrshëm në Sierra Leone, ndërroi jetë vetëm një javë pasi u diagnostikua me këtë sëmundje. Lajmi është
bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë së shtetit afrikan.

Khan ishte shtruar në një spital në kryeqytetin e Sierra Leones dhe ishte nën kujdesin e anëtarëve të organizatës humanitare “Mjekët pa kufij”, por megjithatë ai nuk mundi t’i rezistojë këtij virusi.
Ai prej kohësh punonte në Sierra Leone në trajnimin e të infektuarve me virusin vdekje prurës, si edhe në izolimin e tij.

Deri tani Sierra Leone është një ndër vendet më të prekura me këtë virus, me 427, nga të cilët 144 persona kanë humbur jetën. Virusi vdekjeprurës vret rreth 90% të personave të infektuar, por gjatë kësaj kohe kjo përqindje ka rënë në 60% në saj të trajtimit në kohë të të infektuarve.

Top Channel