Gaza, vriten 32 persona

30/07/2014 00:00

Vetëm mbrëmjen e djeshme, bilanci i jetëve të humbura në radhët e palestinezëve nga sulmet ajrore izraelite u rëndua me 32 të tjera. Sa më shumë vazhdon gjakderdhja, aq më pak duken palët të gatshme për paqe.

Në një regjistrim audio, lideri i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammad Deif i hodhi poshtë pretendimet se militantët palestinezë janë të gatshëm për armëpushim. “Ushtarët e mi janë të etur për gjak”, dëgjohet të thotë Deif.

Presioni ndërkombëtar për pushim zjarri sa vjen e shtohet. Në Kajro pritet të zhvillohet një takim i fraksioneve palestineze, ndërsa mediatorët egjiptjanë thuhet se do ta rishikojnë propozimin e armëpushimit të pranuar nga Izraeli, por jo nga Hamasi.

Dy palët në konflikt po e shfrytëzojnë megjithatë këtë moment për të bërë edhe një herë të qartë pozicionin dhe synimet e tyre. “Nuk pranojmë asnje kusht për armëpushim. Nuk do të ketë pushim zjarri pa u ndërprerë më parë agresioni dhe rrethimi i Gazës”, tha Deif.

Luftimet në terren kanë vazhduar edhe mëngjesin e sotëm. Sipas burimeve spitalore, bombardimi i një shkolle të OKB-se në kampin e refugjateve Jabalija vrau të paktën 15 persona.

Goditjen e shkollës e konfirmoi edhe një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, i cili foli megjithatë për një numër më të vogël vdekjesh. Shumica e 1.200 palestinezëve të vrarë që nga fillimi i konfliktit në 8 korrik janë civilë.

Ndërsa nga 55 jetë të humbura në anen e shtetit hebre, civilë janë vetëm 2. Vazhdimi i luftimeve, përkundër të gjitha apeleve të bashkësisë ndërkombëtare për armëpushim të përhershëm në Gaza, në sytë e ekspertëve nënkupton mungesë të vullnetit politik për paqe në territorin palestinez.

Prej konfliktit, sipas tyre, përfitojnë përfaqësuesit e kursit të ashpër si kryeministri Benjamin Netanyahu apo Hamasi, edhe pse shtojnë se më tepër pritet nga lëvizja islamike, e vetmja që mund t’i japë fund zjarrit të raketave nga Gaza.

Top Channel