Gaza, Izraeli sulm ajror mbi treg, 17 viktima

30/07/2014 00:00

Të paktën 17 viktima të tjerë dhe 160 të plagosur janë regjistruar nga një sulm ajror i Izraelit në një treg, pranë qytetit të Gazës, bëjnë të ditur zyrtarë palestinezë.

Shpërthimi ndodhi në një treg fruta-perimesh të tejmbushur në Shejaiya, në Lindje të qytetit të Gazës, ku qindra palestinezë ishin duke bërë blerje, tha një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Sulmi erdhi gjatë armëpushimit 4-orësh të shpallur nga vet ushtria izraelite. Hamasi, që është nën kontrollin e Gazës, ka refuzuar paqen duke e quajtur atë të pakuptimtë. Korrespondentët e huaj thonë se ishte ende e paqartë, nëse dikush në Gaza ishte informuar mbi armëpushimin e pjesshëm.

Dëshmitarë në vendngjarje treguan mbi një re të dendur tymi që mbuloi vendin, ndërkohë që ambulancat endeshin rrugëve për të çuar viktimat në spitale. Edhe një gazetar, që punonte për një agjenci lokale lajmesh, raportohet të ketë vdekur.

Ushtria izraelite kishte thënë se armëpushimi do të zgjaste nga ora 14:00 deri në 18:00, por kishte paralajmëruar se ajo do të aplikohej vetëm në zonat ku nuk po operonin ushtarët izraelitë, ndërsa rezidentëve u ishte thënë të mos ktheheshin në zonat prej nga ku ishin evakuuar më parë.

OKB fajëson Izraelin për sulmin në shkollë
Jabalia, shkolla u bombardua, edhe pse dihej që aty kishte civilë

Organizata e Kombeve të Bashkuara akuzon drejtpërdrejt Izraelin për
shpërthimin e fundit në Jabalia. Sulmi në fjalë u bë nga ana e ushtrisë
izraelite, në një shkollë në Gaza, e cila përdorej për strehimin e
njerëzve dhe ishte nën mbikqyrjen e OKB-së.

Zyrtarët e lartë pohuan se raketa u hodh, edhe pse ata ishin të vetëdijshëm se në brendësi të godinës kishte civilë, ku 15 prej tyre gjetën vdekjen dhe qindra të tjerë u plagosën.

Në gjithë këto javë trazirash mes Izraelit dhe Palestinës, OKB-ja thotë se kjo është hera e gjashtë, që një nga shkollat e saj goditet. Tani, deklaratat e OKB-së sa po vijnë e po rëndohen, në shenjë proteste kundër sulmeve.

Duke iu referuar shpërthimit të sotëm në shkollë, Komisioneri i Përgjithshëm Pierre Krahenbuhl u shpreh: “Unë dënoj me termat më të rënda të mundshme, këtë shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga forcat izraelite”.

Nga ana tjetër, Izraeli e kundërshton versionin e OKB-së të ngjarjeve dhe ka nxjerrë një filmim, ku tregohet se shkolla ishte bosh para se të hidhej raketa, madje lajmëroi se po mban një armëpushim humanitar 4-orësh.

Ndërkaq,  teksa një korrespodent i CNN po raportonte nga Gaza, lidhur me gjendjen atje, mbrapa shpinës së tij ndodh një tjetër shpërthim. Karl Penhaul e ndalon raportimin, ndërsa kamera vazhdoi të xhironte sulmin e fuqishëm.

Sipas të gjitha burimeve, qoftë filmike, por edhe atyre të deklaruara nga vetë palët në konflikt si dhe ndërkombëtarët, është e qartë se situata do të vijë drejt rëndimit. Ashtu sikurse izraelitët dhe forcat e Hamasit theksuan se nuk kanë ndërmend për paqe, madje u shprehën se ushtarët e tyre janë të “etur për gjak”.

***

Të shtënat e tankeve izraelite kanë vrarë të paktën 15 palestinezë në
një shkollë të ndodhur në një kamp për refugjatët e Gazës, ka bërë të
ditur OKB.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, ku ishin strehuar shumë njerëz, kanë deklaruar se muret e ndërtesës janë shkatërruar. Izraeli, që akuzon grupin militant të Hamasit për përdorimin e shkollave si baza për të qëlluar raketat, ka deklaruar se po heton ngjarjen.

Bob Turner, punonjës i OKB-së, ka thënë për BBC se sulmi ndaj shkollës, e ndodhur në kampin e refugjatëve Jabalija, u bë pa paralajmërim. Ai ka shtuar se palestinezëve u ishte thënë të strehoheshin atje pasi konsiderohej një zonë e sigurt. Të paktën 1.200 palestinezë dhe 55 izraelitë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së Izraelit më 8 korrik.

Shumica e viktimave palestineze janë civilë, ndërsa nga izraelitët 53 janë ushtarë, ndërsa dy civilë. Mësohet se nga sulmi i fundit ka humbur jetën edhe një punëtor tajlandez.

Izraeli e nisi ofensivën në Gaza pas një sulmi me raketa nga ky territor ndaj vendit. Lëvizja islamike e Hamasit, që kontrollon Gazën, deklaron se nuk do të ndalë luftimet derisa të hiqet bllokada ekonomike, e vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.

Konflikti aktual është më i gjati i verifikuar ndonjëherë mes palëve. Në vitin 2012, ofensiva zgjati tetë ditë, ndërsa në vitin 2008 për 22.

Një sondazh mujor i bërë mbi 600 shtetas izraelitë nga Universiteti i Tel Avivit sugjeron se 97 për qind mbështesin ndërhyrjen ushtarake.

Top Channel