Grabitje dhe vrasje në Dibër të Madhe

30/07/2014 00:00

Gjashtë persona të maskuar sulmuan me armë një argjendari në qytetin e Dibrës së Madhe në Maqedoni. Mendohet se një nga agresorët është vrarë ndërsa janë plagosur disa persona.

Ngjarja ndodhi në orën 14 e 30 të ditës së martë kur gjashtë personat morën një taksi në fshatin Bomovë në kufi me Shqipërinë.

Ata rrahën taksistin dhe me mjetin e tij udhëtuan në qendër të qytetit të Dibrës së Madhe, ku sulmuan argjendaritë “Beli” dhe “Erebara”.

Një sasi e madhe bizhuterish janë grabitur ndërsa nga përleshja me pronarët e argjendarisë një grabitës mendohet të jetë vrarë dhe është plagosur pronari i një argjendarie, Mexhit Erebara.

“Nga policia janë marrë masat për zbardhjen e rastit. Jemi duke punuar për të grumbulluar materialet dhe besojmë në zbardhjen e ngjarjes”, deklaroi Zemri Qamili, zv.ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Kreu i komunës thotë se ngjarja tronditi gjithë Dibrën dhe fajëson policinë. “Gjashtë të maskuar dhe me armë grabisin në mes të Dibrës argjendarinë. Kjo është policia këtu. Gjysmën e fajit e ka ajo”, tha Ruzhdi Lata.

Dëshmitarët thonë se grabitësit morën me vete personin e vrarë, grabitën një mjet me targa britanike dhe iu drejtuan kufirit me Shqipërinë. Ndërkohë, në kufirin me Shqipërinë ka nisur një operacion kërkimi në bashkëpunim mes dy policive.

Top Channel