Vjedhja në BSH, Fullani në Kuvend

30/07/2014 00:00

Kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe ka bërë publike disa nga përfundimet e arritura pas seancës dëgjimore me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mbi vjedhjen në Bankën e Shqipërisë.

“Po ju them paraprakisht se sistemi i kontrollit nga aspekti i materies, ligjeve, rregulloreve dhe sistemit të sigurisë ka funksionuar. Ndërsa pjesa që varet nga njerëzit ka dështuar që në hallkën e parë, siç pranon edhe vetë guvernatori, deri tek auditi ndërkombëtar i BSH”, deklaroi Braçe.

Braçe tha se komisioni është i vendosur t’i shkojë deri në fund nxjerrjes së përgjegjësive administrative për ngjarjen, që sipas tij ka cënuar imazhin e vendit.

“Natyrisht, ne analizuam faktin që me këtë ngjarje është cënuar rëndë imazhi i BSH, por dhe i shtetit shqiptar. Kemi kërkuar tolerancë zero për cilindo që është përfshirë në këtë veprimtari kriminale në BSH, duke nisur nga guvernatori deri tek zyrtari i fundit”, theksoi Braçe.

Në emër të komisionit ai i ka kërkuar prokurorisië që të angazhojë më shumë njerëz në këtë hetim, që sipas tij duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Hetimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, me më shumë ekspertë të prokurorisë. Duhen më shumë njerëz për të hetuar çdo hallkë që nuk ka funksionuar dhe për të ndëshkuar këdo që është përgjegjës në këtë krim”, u shpreh Braçe.

Por a do të kërkojë komisioni i ekonomisë dorëheqjen e guvernatorit dhe Këshillit Mbikëqyrës? “Nuk jemi ende në këtë fazë. Aktualisht jemi në fazën e marrjes së informacionit dhe analizimit të përgjegjësve”, saktësoi Braçe.

Në fund kreu i komisionit kuvendor të ekonomisë u është përgjigjur edhe kritikave mbi heshtjen e Parlamentit, duke deklaruar se motivi i saj ka qenë kujdesi për të mos dëmtuar një çështje në hetim, e cila lidhet dhe me sigurinë bankare.

Top Channel