SHBA, sanksione të reja Rusisë

30/07/2014 00:00

Pak pas masave të reja të Europës, edhe Shtetet e Bashkuara njoftuan një tjeter raund sanksionesh ndaj Moskës, që vënë në shënjestër sektorët rusë të energjisë, mbrojtjes dhe financave.

Arsyeja për këto lëvizje në të dyja anët e Atlantikut vazhdon të mbetet mbështetja që Rusia i jep, sipas Perëndimit, rebelëve në Ukrainën lindore.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama e lidhi raundin e ri të masave shtrënguese me rrëzimin e avionit malajzian më 17 korrik, që i kushtoi jetën 298 personave në bord.

Ekspertët amerikanë këmbëngulin se Boingu u shkatërrua nga një raketë ruse, e cila mund të jetë lëshuar nga rebelët pro-rusë.

“Shtetet e Bashkuara po i zgjerojnë sanksionet me qëllimin që ato të prekin sektorët kyçë të ekonomisë ruse si energjinë, armët dhe financën. Nëse Rusia vazhdon të ecë në rrugën që ka nisur, kostoja për të do të vijë duke u rritur”, deklaroi Obama.

Përveçse përmendi faktin që Moska ka dështuar të bashkëpunojë me hetuesit ndërkombëtarë për hetimin e shkaqeve të rrëzimit të MH17-s, Obama e akuzoi Kremlinin edhe për vazhdimin e grumbullimit të trupave në afërsi të kufirit me Ukrainën, si dhe furnizimin e separatistëve me pajisje ushtarake.

Rusia e mohon armatosjen e rebelëve, pavarësisht pamjeve satelitore që sipas zyrtarëve amerikanë tregojnë se ajo po bombardon nga territori i vet objektiva në Ukrainë.

Më herët, shtetet anëtare të BE-së ranë dakord për sanksione gjithëpërfshirëse ekonomike kundër Moskës. Masat e reja prekin shërbimet financiare, eksportet dhe importet e armatimeve, si dhe eksportet e mallrave të cilat mund të përdoren për qëllime civile e ushtarake.

Top Channel