Rama: Në 300 ditë, revolucion në arsim

30/07/2014 00:00

Në 300 ditë janë hedhur bazat e një revolucioni në arsimin shqiptar, duke shprehur vulnetin për të demokratizuar shkolat, duke mbyllur kapitullin e politizimit të tyre dhe nga ana tjetër duke zhbërë kriterin e defiçencës së maturës shtetrore.

Ishin këto fjalët e kryeministrit Edi Rama në bilancin e 300 ditëve të Ministrisë së Arsimit, ku ndër të tjera theksoi edhe dhënien fund të altertekstit, që sipas tij krijoi një kaos në sistemin arsimor.

“Kemi ndërhyrë në gjithë sistemin kanceroz të librave, një sistem që ka gjeneruar vit pas viti metastaza me pasoja të tmerrshme për nivelin e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve. 120 tituj librash mësimorë janë hequr jo nga lartë poshtë me një vendim arbitrat, por nga poshtë lartë, në konsultim me të gjithë mësuesit. Revolucioni me tekstet do vijojë dhe së shpejti altertekstit do t’i vijë fundi, si një eksperiment i dështuar që prodhoi vetëm kaos”, deklaroi Rama.

Kryeministri e vuri theksin tek unifikimi i kurrikulës mësimore me Kosovën për sistemin arsimor parauniveristar, për të pasur një standard të vetëm për të dy shtetet shqiptare në rajon.

Në analizën e 300 ditëve të para të arsimit, kryeministri u ndal në reformën e arsimit të lartë, që sipas tij do të ketë në thmel të tij meritën, duke krijuar autonomi financiare e duke nxitur konkurrencën ndërmjet univeristeteve publike dhe private. Gjithashtu, Rama vuri në dukje se, aktualisht në Shqipëri kemi 8 herë më shumë universitete se Birtania e Madhe.

“Me tolerancë zero ndaj defiçencës, ndaj këtij biznesi makut që ka shkrirë para pa fund nga xhepat e prindërve të gjorë, për të prodhuar një industri babëzie dhe diplomash pa asnjë vlerë dhe për ta bërë Shqipërinë në këtë sektor vendin më qesharak të planetit. Prandaj nuk do të kemi asnjë hezitim që në bazë të ligjit të ndajmë nga njëra anë ata që meritojnë të shkojnë më tutje dhe nga ana tjetër ata që duhen nxjerrë jashtë sistemit”, tha Rama.

Ai shtoi se në dhjetor do të nisë dhe akreditimi i universiteteve sipas standardeve të Bashkimit Europian. “Në dhjetorin e vitit 1990 kemi kërkuar liri e demokraci. Kemi kërkuar: konkurrencë, meritë dhe integrim në BE. Në dhjetor, një nga agjencitë më prestigjoze ndërkombëtare do të nisë kreditimin e institucioneve arsimore, pa dallim të shtetit apo privatit”, përfundoi Rama.

PD akuzon Ramën për arsimin

Partia Demokratike reagoi për 300 ditët në arsim. Genc Pollo tha se qeveria nuk ka bërë asnjë investim në këtë fushë, madje sipas tij ka përkeqësim dhe korrupsion në këtë vit të parë të qeverisjes.

Pollo kritikoi gjithashtu edhe reformën në këtë sektor, ndërsa e cilësoi sistemin e zgjedhur për arsimin parauniversitar si një skemë të braktisur prej kohësh në Europë.

“Përmes anekdodave folklorike, qeveria do të shmangë, synon të shmangë konkurimin e tekste alternative dhe të kthehet në kënetën e tekstit unik të pajisur keq deri në vitin 2005 dhe të ofruar në mënyrë monopoliste kuptohet nga kompania pranë ministrisë apo pranë partisë. Dhe po me folklorizëm patriotik synohet të kthehet arsimi bazë në një skemë të lënë pas e të braktisur në gjithë Europën”, deklaroi deputeti demokrat, Genc Pollo.

Top Channel