Reforma, kursehen 60 milionë $ në vit

30/07/2014 00:00

Ndërsa debati për reformën territoriale është përqendruar vetëm tek përkatësia e komunave dhe e bashkive me hartën e re, pak është folur për përfitimet ekonomike të saj.

Nga reduktimi i njësive vendore, nga afërsisht 400 të tilla që janë sot në vetëm 61 bashki, qeveria llogarit uljen e kostos vjetore për buxhetin e shtetit nga 40-60 milionë dollarë që sot shkojnë për mbajtjen e administratës së këtyre njësive.

Këto para, thanë zv.kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i pushtetit vendor Bledi Çuçi, do të shkojnë për infrastrukturën e njësive të reja vendore, deklaratë që ata e bënë në përfundim të inaugurimit të rrugës që lidh Pezën e Madhe dhe atë të Vogël.

“Një nga përfitimet e kësaj reforme është që presim të fitojmë deri në 60 milionë dollarë në vit, që do të shkojnë për shërbime dhe investime vendore, që është paketë goxha e mirë sepse në 4 vjet shkon në 240 milionë dollarë, që është diçka shumë e mirë”, deklaroi Çuçi.

Përveç se më shumë para për infrastrukturën vendore, zv.kryeministri vuri theksin edhe tek një tjetër efekt: Zhvillimin integral të njësive, duke i dhënë fund investimeve të copëzuara nëpër komuna.

“Nesër në Parlament do miratohet reforma dhe ju nga nesër do jeni pjesë e Bashkisë së Tiranës, që mundëson që fshati të mos trajtohet vetëm me një rrugë apo një ujësjellës, por të trajtohet në kompleks”, tha Peleshi.

Për qeverinë, reforma e shkrirjes së komunave dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve në bashkitë e medha është edhe një korrigjim historik, që do të nxjerrë zonat rurale nga prapambetja shumëvjeçare.

Top Channel