Pamjet e publikuara së fundi, ku shihet një qytetar i Kosovës duke ekzekutuar me prerje koke një të ri në luftimet në Siri, kanë ngjallur reagime të ashpra në Prishtinë.

Përveç reagimeve të ndryshme në rrjetet sociale, nga ana e qytetarëve, edhe zyrtarë politikë kanë dënuar akte të tilla të dhunës, që bien ndesh me karakterin tonë si komb.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se, feja ka marrë përmasa të manifestimit me uniforma dhe mjekra që, më së paku, u përngjajnë shqiptarëve. “Këta individë – sipas Mustafës, – në vend të misionit të besimit në zot e dashurisë për njerëzimin, mbjellin urrejtje fetare e gjinore, vrasin njerëz e presin koka, duke thirrur në emër të Allahut”.

Mustafa ka thënë se është e nevojshme të ndalen këto dukuri dhe, që shteti të kthehet e të zhvillohet në binarë normal.

Edhe sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar pas shfaqjes së fotografive të xhihadistit, Lavdrim Muhaxherit. Pamjet tmerruese, – sipas Ramadanit – janë dëshmi e nivelit të rëndë të kësaj ideologjie terroriste.

Reagimet e shoqërisë kosovare, ndaj dukurisë që ka marrë përmasa deri në prerje kokash të njerëzve, nga ana e shqiptarëve të Kosovës që ndodhen në luftëra si në Siri, ish-deputeti i AAK-së i ka konsideruar si të vonuara.

Ai ka thënë se, me këto trende, nuk duhet të habitemi, nëse edhe në Kosovë do të ndodhë ndonjë akt terrorist. Kosova e ka përgatitur një ligj, që i ndëshkon kosovarët që marrin pjesë në luftra, por që ende nuk ka hyrë në fuqi.

Qytetarët dënojnë krimet e radikalëve
“T’u hiqet nënshtetësia. Këta nuk janë shqiptarë, por bastardë”

Kanë shkaktuar një valë reagimesh të ashpra në rrjetet sociale, fotot e
përhapura në internet, që tregojnë një prej pjesëtarëve kosovarë të
Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL), të ekzekutojë një të
mitur.

Më herët, i njëjti person, i identifikuar si Lavdrim Muhaxheri, në mënyrë demonstrative ka grisur pasaportën e Kosovës. Njeriu, që në mediat kosovare përshkruhet si lideri i luftëtarëve shqiptarë brenda radhëve të ISIS-it, ka punuar për KFOR-in amerikan, në kampin “Bondsteel”, dhe për NATO-n, në Afganistan.

Autenticiteti i fotove, që tregojnë Muhaxherin me thikë në fytin e një të mituri, të cilin më pas e vret, nuk është konfirmuar ende, megjithatë ai ka ngjallur indinjatë të jashtëzakonshme në median sociale, si në Kosovë, edhe në Shqipëri.

Qytetarët kanë reaguar përmes komenteve në Facebook, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të frenuar nisjen e muxhahedinëve kosovarë në Siri, apo edhe radikalizimin e besimit islam. I pari që publikoi fotot tronditëse ishte portali boshnjak SAFF.

I ashtuquajturi komandant Muhaxheri, u zgjodh vitin e kaluar si komandant i shqiptarëve që janë pjesë e krahut të rebelëve anti-regjimit të Bashar al-Assadit, jo i pjesës që pretendon demokracinë për vendin, por i krahut që kërkon një Siri të sunduar nga ligji i sheriatit.

Kosovë, parandalimi i ekstremizmit
Presidentja Jahjaga mbledh krerët e qeverisë dhe sigurisë kombëtare

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbledhur të mërkurën pasdite krerët e institucioneve të sigurisë, për të diskutuar kërcënimin nga ekstremizmi dhe radikalizmi në vend dhe masat e ndërmarra nga këto institucione për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri.

Në këtë takim, që është mbajtur pa praninë e mediave, presidentja Jahjaga ka kërkuar nga krerët e institucioneve që ta trajtojnë me prioritet dhe në bashkërendim këtë kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës, rajonit dhe më gjerë dhe që në bashkëpunim me partnerët të parandalojnë që Kosova të bëhet eksportuese e këtij kërcënimi global.

Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë nga zyra e Presidencës, zonja Jahjaga ka thënë se, Kosova në asnjë moment nuk do të lejojë që të bëhet burim i ekstremizmit dhe strehë e kriminelëve që nxisin terror dhe urrejtje.

Ajo i ka ftuar të gjithë qytetarët dhe komunitetet fetare që të bashkëpunojnë me autoritetet vendore dhe mekanizmat e sigurisë për t’i përndjekur penalisht individët që qëndrojnë prapa këtyre përpjekjeve, që synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe traditën e saj të gjatë të harmonisë ndërfetare. 

Top Channel