Dështon atentati në Korçë

30/07/2014 00:00

Një atentat me armë zjarri është regjistruar në qytetin e Korçës, ku një person është qëlluar dy herë me armë zjarri, teksa po kalonte me automjetin e tij në afërsi të spitalit të qytetit.

Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në lagjen 4 të qytetit, ku një person i armatosur, i identifikuar si Samuel Pengu, 21 vjeç, ka zënë pusi dhe më tej ka qëlluar dy herë me armë zjarri, ndaj një mjeti në lëvizje.

Sipas të dhënave të para, personi ka qëlluar në drejtim të mjetit, ku ndodheshin Janis Berlat 22 vjeç dhe 3 persona të tjerë, por plumbat nuk e kanë prekur drejtuesin e mjetit dhe asnjë nga pasagjerët, pasi ka vazhduar lëvizjen e mjetit me shpejtësi dhe është larguar.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet. Nga të dhënat e para, mësohet se është bërë i mundur identifikimi i autorit dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkaq burimet bënë me dije se mes dy personave ekziston një konflikt i hershëm, për motive banale.

Top Channel