Galaksia jonë është më e lehtë nga sa besohej

30/07/2014 00:00

Rruga e Qumështit është më e lehtë nga sa besohej deri më tani. Shkencëtarët dhe astronomët nga Universiteti i Edinburgut publikuan rezultatet e një studimi disa-mujor në të cilin pretendojnë se galaksia jonë nuk ka peshën që besohej gjërësisht nga komuniteti i studiuesve deri më sot.

Sipas këtij studimi galaksia jonë peshon sa gjysma e galaksisë fqinje Andromeda. Kjo e fundit është më e errët, çka besohet se ndikohet nga sasia e “Materies së zezë” që mbart. Kjo materie e padukshme përbën përqindjen më të madhe të universit dhe besohet se fsheh misteret e ekzistencës së tij.

“Studimi u përqendrua në matjen e lëvizjeve në galaksinë tonë dhe në atë të Andromedës. Kishim dyshime se Andromeda është më e rëndë se Rruga e Qumështit, por rezultatet e studimit tregojnë që kjo diferencë është dy herë më e madhe”, deklaron Jorge Penarrubia, udhëheqës i studimit.

Ai thotë se lëvizjet thuajse të njëjta në galaksinë Andromeda kërkonin dy herë më shumë kohë se në galaksinë tonë. Kjo sugjeron se masa në këtë galaksi është më e madhe se sa masa e Rrugës së Qumështit.

Top Channel