Grupi PS, debate për policinë

30/07/2014 00:00

Ndryshe nga sa pritej në mbledhjen e parë pas seancës së javës së shkuar, Edi Rama nuk i ka kërkuar sqarim individual deputetëve që u larguan nga votimi, por në fjalën përpara grupit të tij parlamentar mësohet se ka qenë i ekuilibruar mes njohjes së të drejtës së pakënaqësive të disa deputetëve dhe mos justifikimit të reagimit të tyre me largim nga votimi.

Mes këtyre të dy qendrimeve kryesocialisti mësohet se ka bërë të ditur hartimin dhe miratimin e një rregulloreje të brendshme për grupin parlamentar në shtator për funksionimin e rregullt të komunikimit të deputetëve me Kryeministrin dhe disiplinimin e votave në seancë parlamentare, bëjnë me dije burime për Top Channel.

Pasi ka theksuar rëndësinë e ligjeve të fundit që pritet të kalojë parlamanti, ndër to edhe edhe ndarjen e re të reformës territoriale, Kryeministri ka lënë mbledhjen e grupit. Pas largimit të tij  ka qenë deputeti Andrea Marto që ka bërë të qartë qëndrimin kundër ndarjes së disa fshatrave në jug, mes Bashkisë së Konispolit dhe Livadhjasë, ndarje që ai tha se kanë dalë jashtë kriterit të ruajtjes së kufirit të komunave që komisioni pati vendosur.

Pavarësisht kundërshtimit të Ministrit Çuçi dhe Bashkim Finos, Andrea Marto mësohet se ka mbështetur projektin e reformës në tërësi, por vetëm për ndarjen e këtyre fshatrave ka paralajmëruar votën kundër në seancën e së enjtes.

Ndërsa debati për reformën territoriale është mbyllur këtu, ai për projekt-ligjin për Policine e Shtetit ka qenë më i ashpër. Çështja e Gardës së Republikës ka shkaktuar debat mes Paulin Stërkaj dhe Ministrit Tahiri, kur i pari është shprehur kundër propozimit të Ministrisë së Brendshme për shkrirjen e saj brenda Policisë së Shtetit, qendrim që ka gjetur mbështetjen e pjesës më të madhe të deputetëve në Komisionin e Sigurisë, por edhe të disa deputetëve në Komisionin e Ligjeve.

Kryetari Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka thënë se duhet ligj i ri për Gardën, ndërsa ka pasur edhe propozime si ai i Arta Dades për ta shtyrë votimin e këtij ligji në shtator, ndërsa kryetari i grupit, Gramoz Ruçi iu ka lënë detyrë deputetëve të gjejnë një variant konsensual deri përpara fillimit të seancës.

Në mbledhje kanë munguar një pjesë e deputetëve që një javë më parë u larguan nga seanca si Tom Doshi, Mark Frroku e Parid Cara. E enjtja, bashkë me një seancë maratonë që do të mbyllë këtë sesion, përveç votës së mazhorancës, pranisë së PDIU-së në opozitë në seancë, pritet me interes edhe për qendrimet e PBDNJ-së që ka paralajmëruar daljen nga koalicioni në rast se varianti final i reformës territoriale është ai që u miratua nga Komisioni.

Top Channel