Fabjola e “Masterchef Albania”: Ja si e organizoj frigoriferin

30/07/2014 00:00

Të kesh një frigorifer të organizuar dhe të dish si të konservosh produktet brenda tij, shpeshherë kthehet në një sipërmarrje të vështirë për amvisat.

Mbajtja e perimeve, frutave, bulmetit apo mishit në temperaturat dhe enët e duhura, kryesisht gjatë stinës së verës, kërkon njohuri dhe përkujdes të veçantë.

Organizimi i frigoriferit ndryshon nga një familje në tjetrën. Fabjola Sulmina, e cila u bë e njohur në edicionin e parë të “Masterchef Albania”, ka mënyrën e saj të konservimit dhe të ruajtjes së ushqimeve në frigorifer, gjatë muajve të nxehtë.

“Organizimi im është ky, i ndarë në kate siç i ka frigoriferi. Sipër vendos gjërat që duhen freskuar më shpejt, dhe poshtë gjërat më delikate, siç është sallata e barit apo të tjera si kjo. Djathi e kosi vendosen sipër, një kat më poshtë janë frutat, ndërsa më pas janë vezët, të cilat ndryshe nga të tjerët që i vendosin te dera e frigoriferit, unë i kam vendosur në një tas, për të mos i dëmtuar. Më pas kam vendosur erëzat, edhe këto në një kavanoz qelqi, për të ruajtur freskinë. Kam këtu edhe disa lule kungulli, të cilat unë i përdor shumë. Ndërsa zarzavatet e tjera të stinës i kam mbështjellë me qese të tejdukshme, pasi i kam larë. Te dera kam vënë edhe erëza si borziloku, të cilat i përdor për makarona me domate të vogla. Çdo gjë është vendosur në kutitë plastike dhe të tejdukshme, për të mos u lodhur për t’i gjetur”, tregon Fabjola.

Frutat e stinës duan gjithashtu një konservim ndryshe nga produktet e tjera.

“Dua që çdo gjë të jetë e mbyllur dhe jo e hapur, madje aty ku është e nevojshme të jetë edhe hermetikisht e mbyllur. Frutat mund t’i lë edhe të hapura, ndërsa ato që janë më delikate i mbaj të mbyllura. Nuk kam mahninë ta mbush frigoriferin plot me fruta, pasi të gjitha tregjet sot janë plot. Pazarin e bëj thuajse 1 herë në 2 ditë. Dua të eksploroj për gjëra sa më të freskëta në frigorifer”, vijon më tej Fabjola.

Produktet e mishit, Fabjola preferon t’i mbajë sa më pak që të jetë e mundur në frigorifer. Edhe për këtë, ajo jep shpjegimin e duhur.

“Sa i përket pjesës së ngrirjes së frigoriferit, nuk preferoj të blej e të mbaj shumë produkte të mishit, apo peshkut. Peshkun preferoj ta gatuaj menjëherë pasi e blej. Për mishin, të cilin zakonisht e marrim të freskët nga thertoret, është mirë që të mbahet rreth 48 orë në ngrirje, pasi është më i rezistueshëm”, thotë Fabjola.

Ky ishte organizimi i frigoriferit të Fabjolës, i cili është vetëm një prej elementëve të pasionit të saj për kuzhinën dhe gatimin.

Top Channel