Libi, armëpushim i përkohshëm në Tripoli

31/07/2014 00:00

Milicitë rivale në Libi që luftojnë për kontrollin e aeroportit në Tripoli kanë rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm të mërkurën.

Armëpushimi është vendosur me synimin për të lejuar zjarrfikësit të vënë nën kontroll një zjarr të madh në një depo karburanti, e cila u godit nga një raketë. Ndërkohë në Bengazi, të paktën 75 trupa të pajetë janë gjetur, pas dy ditësh luftimi, në të cilët luftëtarët islamikë dhe milicitë aleate pushtuan një bazë ushtarake.

Intensiteti i luftimeve është rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit, duke u cilësuar si më të ashprat që prej rrëzimit të Muamar Gadafit në vitin 2011. Kjo ka detyruar vendet europiane të tërheqin diplomatët e tyre nga vendi i Afrikës së Veriut.

Gjatë së mërkurës, Franca mbylli ambasadën në Tripoli dhe evakuoi 30 shtetasit e saj. Pak ditë më parë edhe SHBA-ja u detyrua të evakuonte personelin e saj, të cilët u vendosën në Tunizi.

Gjatë së hënës, drejtuesit më të lartë botëror kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe i bënë thirrje OKB-së të ndihmojë në rivendosjen e stabilitetit politik në Libi.

Top Channel