“Pakti me CEZ, skandali i shekullit”

31/07/2014 00:00

“Bëhet fjalë për atë që, nëse shkon drejt kompletimit, mund të quhet pa frikë vjedhja e shekullit ndaj shqiptarëve”.

Ky është përkufizimi, që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri marrëveshjes së arritur 5 javë më parë, mes qeverisë shqiptare dhe çekëve të CEZ-it, me anë të së cilës Shqipëria angazhohet të tërhiqet nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe t’i paguajë CEZ-it 95,5 milionë euro, në këmbim të rimarrjes në zotërim të 76 përqind të aksioneve të kompanisë. Për opozitën, ky nuk është vetëm një megaskandal financiar, por edhe një vepër kriminale e qeverisë Rama, të cilën e akuzoi se ka fshehur të vërtetën, në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.

“Përmes gënjeshtrave u përpoqën, që në një kohë të shkurtër prej një muaji, të bindin shqiptarët se, si rezultat i përgjegjësive të qeverisjes së kaluar, çështja e hapur në arbitrazhin e investimeve nga pala çeke, ishte e destinuar të humbej dhe, në këto kushte, qeveria ishte e detyruar të pranonte më mirë të paguante 95,5 mln euro, ndërkohë që pala çeke kërkonte 200 mln euro”, tha Lulzim Basha.

Ku bazohet kreu i opozitës për këtë akuzë të rëndë, ndoshta një nga më të rëndat e këtyre viteve? Duke treguar historinë e konfliktit të qeverisë shqiptare me CEZ-in dhe hapave të ndërmarra sipas këshillave të avokatit ndërkombëtar, zoti Basha iu referua 30 Shtatorit 2013, kur avokati ndërkombëtar, nëpërmjet një letre, i shpreh shqetësimin qeverisë së re për mungesën e veprimeve nga pala shqiptare, për ndjekjen e arbitrazhit, duke i sugjeruar marrjen e disa hapave për të mos dëmtuar interesat e Shqipërisë.

“Në asnjë rresht të asaj letre, në asnjë komunikim, avokati ndërkombëtar nuk e këshilloi Shqipërinë të negociojë me CEZ-in, përkundrazi, theksoi se çështja është plotësisht e fitueshme nga pala shqiptare”, deklaroi kreu i PD, Basha.

Duke i shkuar më tej akuzës, se qeveria Rama erdhi e përgatitur për të hequr dorë nga arbitrazhi dhe për të negociuar me çekët e CEZ-it, zoti Basha përmendi një qëndrim të kryeministrit Rama, në Dhjetor, për paligjshmëri të heqjes së licencës së CEZ-it, duke pranuar fajin e palës shqiptare, edhe pasi ai ishte njohur me qëndrimin e ekspertëve ndërkombëtarë, nga më të mirët në botë, se, për shkak të mungesës së investimeve, dëmi që CEZ i kishte shkaktuar Shqipërisë ishte marramendës.

“Në këto raporte, që disponohen nga opozita, thuhet me fakte dhe me shifra, nga e pesta kompani në botë, eksperte për auditimin në raste të tilla, se Shqipërisë CEZ i detyrohet një shumë deri në 3 miliardë dollarë. Se heqja e licencave nga ERE ishte i drejtë, se paditë e paraqitura nga CEZ ishin të pajustifikuara, të mbivendosura dhe jo të llogaritura drejt. Për më tepër, kompanitë audituese dhe vlerësuese e këshillojnë qeverinë të bëjë kallëzim ndaj stafit ekzekutiv të CEZ, që me dashje shkatërroi kompaninë, dhe të hetohet në lidhje me transferimin e parave jashtë Republikës së Shqipërisë nga firmat e kontraktuara nga CEZ”, vijoi më tej Basha.

Zoti Basha thotë se qeveria i ka mbajtur të fshehura nga qytetarët këto raporte, për të manipuluar opinionin publik, pasi vetëm në fatura të pranuara nga të dyja palët, CEZ-it i falen 500 milionë euro detyrime. Sipas kreut të opozitës është kriminale, që edhe negociatat me çekët janë mbajtur të fshehta dhe avokati ndërkombëtar, i paguar nga Shqipëria, nuk ka qenë i pranishëm, siç ai ka pohuar publikisht. Sipas opozitës, kjo ka ndodhur edhe për të fshehur një veprim tjetër, që qeveria do ta ndërmarrë së shpejti.

“Krimi i dytë i kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me përgatitjen për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke ia faturuar këtë vjedhje të shekullit shqiptarëve. Është e qartë dhe e provuar katërcipërisht, dhe këtë ne do t’ua faktojmë shqiptarëve, se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë këshilluar këtë qeveri, përveç konsulentëve privatë të kryeministrit dhe avokatëve të shtetit, të cilët kanë pasur kliente vetë CEZ-in”, paralajmëroi Basha.

Zoti Basha bëri një apel për deputetët e mazhorancës, që të kërkojnë transparencë dhe të mos votojnë marrëveshjen.

“Jemi kundërshtarë politik, por ju keni detyrim madhor para Kushtetutes dhe qytetarëve, keni detyrimin të mos bëheni pjesë në këtë krim të përmasave kolosale në kurriz të shqiptarëve, në këtë vjedhje, e cila në volumin e saj është 600 herë më e madhes, se sa vjedhja e raportuar në Thesarin e Bankës së Shqipërisë”, u shpreh lideri i opozitës, Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike thotë se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Parlamenti përbën një vepër të rëndë penale, sepse ajo është bërë në kushtet e mungesës totale të transparencës dhe në kundërshtim me interesat kombëtare. Zoti Basha shprehu vendosmërinë e opozitës, për të parandaluar me mjete ligjore hyrjen në fuqi të marrëveshjes me CEZ-in, më 17 Tetor.

“Opozita do të vazhdojë të investohet fuqishëm, me të gjitha instrumentet ligjore, kushtetuese, politike, për të ndalur këtë vjedhje, që është e barabartë me buxhetin e një viti të Republikës së Shqipërisë, është e barabartë me një të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, përfundoi Basha.

Top Channel