Izraeli mobilizon edhe 16 mijë rezervistë

31/07/2014 00:00

Izraeli ka thirrur në gatishmëri edhe 16 mijë rezervistë të tjerë, për të përforcuar ushtrinë e tij në vazhdën e konfliktit në Gaza.

Tashmë numri i përgjithshëm i forcave izraelite shkon në 86 mijë. Zyrtarët thanë për mediat izraelite se rezervistët e thirrur së fundi do t’i japin ushtrisë “hapësira për frymëmarrje”.

Lëvizja e fundit vjen teksa Izraeli u angazhua të hetonte sulmin ndaj një shkolle të drejtuar nga OKB-ja, nga i cili u vranë të paktën 16 persona. Në total, më shumë se 100 persona u vranë në Gaza gjatë së mërkurës, thanë zyrtarët palestinezë.

Zëdhënësi Mark Regev tha për BBC se Izraeli do të kërkojë falje, nëse zbulohet se sulmi në shkollë erdhi si pasojë e zjarrit të hapur nga izraelitët. “Kemi një politikë, nuk shënjestrojmë civilët”, tha ai.

SHBA dhe OKB dënuan sulmin, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e quajti atë “të pajustifikueshëm”.

Por, ndërsa Kombet e Bashkuara bënë përgjegjës Izraelin për episodin e dhunshëm, Uashingtoni preferoi të heshtë në lidhje me autorësinë e sulmit. Zëdhënësja e Shtëpisë së bardhë, Bernadette Meehan, tha vetëm se Amerika është jashtëzakonisht e shqetësuar, që mijëra palestinezë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre nuk mund të jenë të sigurt në strehimet e caktuara nga OKB, ndërsa dënoi edhe ata që fshehin armë në këto strehime.

Të mërkurën, kabineti i sigurisë së Izraelit u takua për të miratuar vazhdimin e sulmeve kundër grupit të militantëve palestinezë të Hamasit, që kontrollon Gazën.

Operacionet do të vazhdojnë kundër militantëve të dyshuar, vendeve të dyshuara nga ku lëshohen raketat, si dhe një rrjeti tunelesh të zbuluara që të çonin në Izrael, bën të ditur ushtria izraelite.

Të paktën 19 sulme ajrore janë ndërmarrë gjatë natës. Operacioni izraelit nisi më 8 Korrik, e prej atëherë janë vrarë të paktën 1360 palestinezë, shumica e të cilëve kanë qenë civilë.

Rreth 58 izraelitë janë vrarë, nga të cilët 56 ushtarë dhe 2 civilë, ashtu sikurse edhe një punëtor tajlandez në Izrael.

Top Channel