G7 paralajmëron me intensifikim sanksionesh

31/07/2014 00:00

Liderët e G7, përmes një deklarate të përbashkët gjatë së mërkurës, paralajmëruan Rusinë se do të përballet me sanksione të tjera ekonomike, nëse Moska nuk ndryshon kursin e politikës së saj në Ukrainë.

Deklarata e liderëve të vendeve të G7; Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe; ishte një tregues solidariteti mes aleatëve. Ata shprehën zhgënjim në lidhje me veprimet e Rusisë, të cilat kanë minuar “sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës”.

“Rusia ka ende mundësi të zgjedhë rrugën e uljes së tensioneve”, thuhej në deklaratë, një ditë pasi Europa dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja financiare. “Nëse nuk e ndjek këtë rrugë, gjithsesi, ne do të mbetemi të gatshëm të intensifikojmë kostot e veprimeve negative të saj”.

Liderët e G7 bënë thirrje ndaj të gjitha palëve të deklarojnë armëpushim në vendin e rrëzimit të avionit malajzian, i cili u rrëzua më 17 Korrik në Lindje të Ukrainës.

Ata bënë gjithashtu thirrje për një armëpushim të qendrueshëm mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në Lindje të vendit.

Top Channel