Argjentinë, falimenti i dytë në 13 vjet

31/07/2014 00:00

Argjentina ka falimentuar për shkak të borxheve të saj, për herë të dytë në 13 vitet e fundit, pasi bisedimet “e minutës së fundit” në Nju Jork me një grup zotëruesish të bonove dështuan.

Të ashtuquajturit investitorë “të financimeve në kompani në vështirësi” kërkuan pagesën e plotë të 1,3 miliardë dollarëve, për bonot që ata zotërojnë.

Argjentina tha se nuk mund ta përballojë diçka të tillë, si dhe i akuzoi ata se po shfrytëzonin problemet e saj me borxhet për të përfituar në shuma të mëdha.

Një gjykatë amerikane kishte vendosur një afat deri në 6 të mëngjesit të së enjtes për arritjen e një marrëveshjeje. Kriza e sotme rrjedh që prej falimentimit të parë të Argjentinës, në vitin 2001.

Të mërkurën në mbrëmje, ministri argjentinas i Ekonomisë, Axel Kicillof, tha se investitorët kishin refuzuar ofertën e fundit të qeverisë.

“Fatkeqsisht, asnjë marrëveshje nuk u arrit dhe Republika e Argjentinës do të falimentojë në mënyrë të pashmangshme”, tha Daniel Pollack, ndërmjetësi i caktuar nga gjykata, në një deklaratë të mbrëmjes së djeshme.

Falimenti i fundit pritet të shtojë problemet në ekonominë e Argjentinës të goditur nga recesioni. Gjithsesi, efekti nuk mund të krahasohet me pasojat e situatës së vështirë ekonomike të vendit gjatë viteve 2001-2002, kur depozitat e popullit u ngrinë, në mënyrë që ata të mos kishin mundësi t’i tërhiqnin paratë nga bankat, ndërsa protestat e dhunshme nëpër rrugë çuan në dhjetra të vdekur.

Top Channel