Kryeprokurori amerikan i Task Forcës Speciale, Clint Williamson, deklaroi në një intervistë për shtypin e ditës në Kosovë se po të kishte gjykatë speciale, akuzat ndaj ish-krerëve të lartë të UCK-së do të ngriheshin që sot.

Në një interviste për gazetën “Koha Ditore”, Williamson sqaron se nuk ka thënë që nuk ka pasur trafik organesh, por se nuk ka indikacione bindëse që një gjë e tillë ka ndodhur.

“Ne besojme se këto gjëra kanë ndodhur, por nuk ndjehemi tani se kemi mbledhur prova të mjaftueshme për të ngritur çështje në gjykatë. Megjithatë, kjo pjesë e hetimeve do të vazhdojë dhe nëse dëshmitë do të shtohen, atëherë jemi të hapur për t’i përfshirë edhe këto krime në akt-akuzat që do të ngrihen”, deklaroi Williamson.

Ai sërish nuk ka dhënë emra në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UCK-së, por thotë se në listën e të dyshuarve në varësi të hetimeve, gjatë mujave të ardhshëm mund të shtohen njerëz të tjerë.

Williamson ngul këmbë se vetëm jashtë Kosovës mund të zhvillohet një proces serioz kundër figurave më të larta të UCK-së dhe se aktualisht kjo gjë nuk është e mundur të bëhet brenda territorit te vendit.

“Kemi një situatë rreth së cilës duhet të jemi realë. Gjatë 15 viteve të fundit, sa herë që ka pasur tentativa që të gjykohen eprorë të lartë të UCK-së në Kosovë, kemi hasur në presione, frikësime, kritika zyrtare të nivelit më të lartë zyrtar në qeveri, njerëzit kanë sulmuar dëshmitarët, ka pasur protesta në rrugë. Pra, sa herë ka pasur tentativa të ndiqen këto raste, këta njerëz kanë bërë gjithçka që kanë mundur për t’i penguar ato”, është shprehur Williamson.

Top Channel