Gjiknuri: Marrëveshja, e detyruar

31/07/2014 00:00

Pas akuzave të liderit të opozitës Basha, mbi marrëveshjen me CEZ, reagoi ministri i Energjisë. Damian Gjiknuri tha në Parlament se, zgjidhja e konfliktit me mirëkuptim ishte rruga, që u sugjerua nga të gjithë ndërkombëtarët.

“Sipas dhe çdo sugjerimi të institucioneve ndërkombëtare financiare; Bankës Botërore, FMN-së dhe gjithë institucioneve që na mbështetën në këtë proces; iu sugjerua qartë qeverisë shqiptare, që e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e sektorit ishte zgjidhja me mirëkuptim e këtij konflikti të hapur. Kjo për arsye se, sektori kishte nevojë për investime, gjë që do të ishin të pamundura në një status juridik të paqartë të kompanisë, për shkak të konfliktit ligjor, dhe pa këto investime do të kërcënohej sigurimi i furnizimit me energji elektrike”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Duke hedhur poshtë akuzat e opozitës, Gjiknuri tha se, me këtë marrëveshje, Shqipëria shmangu një kosto shumë të lartë, që – sipas tij, – qytetarëve iu la nga qeveria e mëparshme.

“Shmangu një detyrim financiar shumë më të madh potencialisht, po të përballeshim në në gjykatë arbitrazhi dhe me të gjitha shanset, e them me bindje këtë edhe nga konsultat e shumta, do ta humbisnim këtë çështje”, theksoi ministri Gjiknuri.

Në fund, kreu i Energjisë deklaroi se të gjitha negociatat me CEZ ishin transparente dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ndryshe nga sa bëri ish-qeveria.

“Negociatat, jo pa qëllim, vendosëm t’i zhvillojmë me praninë ndërkombëtare, në një zyrë të mirënjohur, që është zyra e komunitetit të energjisë, një armë e Bashkimit Europian për reformat në sektorin e energjisë në të gjithë Europën Juglindore. Pra, gjithçka është zhvilluar në mënyrë transparente dhe me mbikqyrjen e fortë ndërkombëtare. Përpos kësaj, kam edhe një pyetje publike për zotin Basha, ose t’ia bëjë babait të tij të plakur, se ai duhet t’i dijë më mirë, ku i zhvilluan takimet në Vjenë, në muajt Mars-Prill, kur tentuan negociata? Kush ka qenë dëshmitarë aty? E vetmja gjë që di është se u mbyllën në një dhomë hoteli privat dhe s’ka asnjë ndërmjetës ndërkombëtar, nuk ka asnjë evidencë, madje s’kemi gjetur asgjë edhe në lidhje me çfarë kanë biseduar aty”, përfundoi ministri i Energjisë, Gjiknuri.

Top Channel