Bankat gjallërojnë kredidhënien

31/07/2014 00:00

Banka e Shqipërisë thotë se, pas më shumë se dy vitesh krizë, kredia për ekonominë shfaqi sinjale gjallërimi në tremujorin e dytë të këtij viti.

Në vrojtimin e fundit mbi aktivitetin kreditues, banka vëren se, gjatë kësaj periudhe, standardet e kredidhënies u lehtësuan, si për bizneset, ashtu edhe për individët.

Sipas bankës, kjo është hera e parë, që nga fillimi i vitit 2011, kur bankat private kanë lehtësuar kredinë për bizneset, në të gjitha segmentet e saj, si atë që jepet për investime, ashtu dhe huatë që përdoren për kapital qarkullues.

Ndërsa për individët, ky është tremujori i tretë me radhë, kur standardet për të marrë një kredi janë lehtësuar, qoftë për blerjen e banesave, ashtu dhe për kredinë konsumatore.

Sipas vrojtimit, bankat kanë qenë më të gatshme për të kredituar sektorin privat, duke ulur koston e huave përmes interesave dhe komisioneve. Nga ana tjetër, për kreditë që vlerësohen me rrezik të lartë, interesat kanë vazhduar të rriten, duke reflektuar një politikë kujdesi të bankave.

Por, Banka Qendrore vëren se, veç lehtësimeve nga bankat private, në tremujorin e dytë është vënë re dhe një rritje e ndjeshme e kërkesës për kredi.

Sipas raportit, bazuar në perceptimin e ekspertëve të bankave, kërkesa për kredi është rritur ndjeshëm gjatë këtij tremujori nga të gjithë llojet e klientëve, duke dhënë – siç thotë raporti, – sinjale pozitive për rigjallërim të aktivitetit ekonomik.

Po kështu, sipas Bankës Qendrore, kjo tendencë pozitive pritet të vazhdojë edhe gjatë tremujorit të tretë.

Top Channel