Zbulimi i tre gropave të thella misterioze në Siberinë veriore ka hedhur në qarkullim një numër të madh teorish mbi mënyrën e formimit të tyre, përfshirë këtu edhe teoritë që flasin për alienë apo meteorë.

Krateri i parë, dhe më i madhi me një diametër prej 30 metrash, ndodhet në Gadishullin Jamal, krateri i dytë me diametër 15 metra është zbuluar në vitin 2013 në rajonin Taz, ndërsa krateri i tretë ndodhet në Gadishullin Tajmyr me diametër 4 metra.

Zbulimi tërhoqi drejt tre zonave përvec një numri të madh kureshtarësh edhe fizikantë, gjeologë e gjeofizikantë që nisën punën për të kuptuar zanafillën e krijimit të këtyre kratereve.

Ai që pretendon se ka zgjidhur këtë mister është gjeofizikanti rus Vladimir Romanovsky. Ai thotë se krateret janë formuar me shpërthime në sipërfaqe dhe jo me vëllisje të tokës. Kjo, sipas tij, është shkaktuar nga shkrirja e akujve nëntokësorë në rajon, pasojë e ngrohjes globale. “Uji i krijuar nga akujt e shkrirë ka ushtruar presion drejt sipërfaqes duke krijuar këto kratere”, thotë Romanovsky.

Teoria e tij mbështetet edhe nga pamjet në terren, ku dheu u grumbulluar në anë të kratereve sugjeron që presioni ka ardhur nga poshtë-lartë dhe jo e anasjellta.

Vetë Romanovsky është i bindur se ka ndodhur vërtet kështu, por sërish habitet kur thotë se ky fenomen është dicka e re me të cilën shkenca nuk është marrë më parë, një formë shpërthimi “vullkanik”, jo me llavë, por me ujë.

Tre krateret pushtuan revistat shkencore javën e kaluar, ndërsa në internet dhe në rrjetet sociale nuk munguan teoritë nga më kurajozet, që nga “autorësia aliene”, testimi i raketave nga ana e Rusisë, një sajesë njerëzore për vëmendje, apo shpërthimi i papritur i një sasie të madhe të gazit metan.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel