Kuvendi miraton reformën territoriale

31/07/2014 00:00

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pasditen e së enjtes, në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion, projektligjin për reformën administrativo-territoriale.

Votimi fillimisht në parim, me 88 vota pro, kundër atë të Vangjel Dules dhe 1 abstenim atë të Vangjel Tavos, i hapi rrugën debateve mes kryetarit të PBDNJ-së që parashtroi disa amendamente në mbrojtje, siç tha ai, të minoriteteve.

“Insistoj në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Shqipëria është vend kandidat për në BE, besoj se qeveria e di mirë që ka një kriter për respektimin e të drejtave të minoriteteve në negociatat për anëtarësim. Nëse pr/ligji në fjalë kalon në variantin e qeverisë, ai do të jetë një barrë për vendin në negociatat me BE-në. Propozoj që njësia administrative në Himarë të jetë Himarë-Lukovë. Vranishti dhe disa komuna të tjera të bashkohen me bashkinë Selenicë. Duke besuar në përkushtimin tuaj ndaj ligjit shpresoj në votën pozitive ndaj këtyre amendamenteve”, deklaroi Dule.

Deri në këtë votim u arrit pasi u negociua me deputetin Andrea Marto, për kalimin e disa fshatrave nga bashkia Konispol te njësia Livadhja. Por u rrëzua amendamenti i Dules për Himarën njësi më vete, moment që nuk u la pa u shfrytëzuar nga kreu i PDIU, Shpetim Idrizi.

“Në këtë parlament ka pasur gjatë gjithë kohës shumë mazhoranca, por mazhoranca më e madhe është ajo e shqiptarëve. I bëj thirrje çdo ‘kali Troje’ në Parlamet të dalë nga këtu, pasi ky është parlamenti i shqiptarëve”, tha Idrizi.

Gjatë diskutimeve të amendamenteve të propozuara nga Dule për këtë pr/ligj deputetët e shumicës kanë hedhur poshtë 3 prej tyre dhe kanë miratuar dy.

Debati Rama-Dule

Para hedhjes në votim, duke iu drejtuar kreut të PBDNJ-së, kryeministri Edi Rama tha se Himara është tokë shqiptare dhe si e tillë do të trajtohet si çdo zonë tjetër e vendit.

“Himara është njësoj si Tropoja, Kavaja apo çdo zonë tjetër e Shqipërisë. Fakti që atje jeton një minoritet grek është një tregues që ai të integrohet. Himara ka qenë dhe është një krahinë shqiptare. Banorët Himarës, Dhërmiut dhe Palasës janë lebër dhe flasin shqip”, deklaroi Rama.

Nuk mungoi reagimi i zotit Dule, i cili tha se miratimi i reformës territoriale cënon të drejtat e minoritetit grek në Himarë.

“Në Himarë ekzistojnë pjesëtarë të minoritetit grek. Nga sa u tha duket qartë ajo që denoncova, tendencioziteti. Shkelen të drejtat e komuniteteve minoritare të parashikuara në Konventën Kuadër”, tha Dule duke artikuluar për herë të parë kërkesën për referendum me banorët e Himarës. 

Ai i drejtoi edhe një mesazh kryeministrit kur tha: “Krenarë meritojnë të jenë jo ata që miratojnë ligje, por ata që i bëjnë të tjerët pjesë të jetës institucionale të një vendi”.

Në reagimin e tij, Rama mohoi çdo mundësi që përmes reformës t’u mohohen të drejtat minoriteteve. Edhe shefi i qeverisë i drejtoi një apel atij që deri në këto momente rezulton ende aleat i koalicionit qeverisës.

“Vangjel, kam vlerësuar inteligjencën tënde, por ti mos fyej timen. Nuk ka asnjë përpjekje për të kufizuar liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Himarë. Ne e kemi njohur praninë e tij atje dhe do ta respektojmë gjithmonë”, u përgjigj Rama.

“Tema e Himarës është e ndjeshme sepse e kanë bërë të tillë përpjekjet 23-vjecare të shumëkujt që ka dashur ta shohë Himarën si ajo që ajo nuk është. Ne parashikojmë zhvillimin e banorëve pa dallime etnike”, tha Rama.

Para replikës me zotin Dule, Rama foli për avantazhet që sjell reforma territoriale, duke saktësuar: “Kjo reformë përfshin shumë komunitete që aktualisht janë të përjashtuara nga sistemi arsimor. Na jep mundësi të transformojmë shërbimin e transportit, duke krijuar kushte që çdo fëmijë të shkojë në shkollë. E njëjta gjë vlen për shëndetësinë, mbështetjen sociale dhe sigurinë”.

Ai iu referua edhe rezultatit të zondazhit të publikuar një ditë më parë nga ministri i Pushtetit Vendor, që tregonte mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për këtë reformë.

“Populli shqiptar e mbështet masivisht këtë reformë. Nga sondazhi i pavarur rezulton se rreth 70 për qind mbështesin reformën territoriale. Përmes saj politikisht çlirohet qytetari zgjedhës sepse vota e tij për zgjedhjet vendore nuk kushtëzohet më nga faktorë që ushtrojnë presion”, tha Rama.

Himara në shifra

Himara është një nga tre njësitë aktuale vendore që bashkohet me reformën e re territoriale, duke krijuar bashki me të njëjtën emër në përbërje të së cilës do të jetë Lukova dhe komuna Hor Vranisht.

Por bashkimi i fshatrave të lumit të Vlorës me Himarën dhe Lukovën është kundërshtuar nga kreu i PBDNJ, Vangjel Dule me këtë pretendim:

“Duan ta përdorin Vranishtin si trupë elektorale sepse besojnë se do të shkojë verbërisht pas planeve të tyre për të mbajtur peng në vazhdimësi autoritetin lokal të Himarës”.

Por ky pretendim, edhe nëse merret në konsideratë, bie nëse i referohesh matematikës së popullsisë bazuar në të dhënat e censusit të fundit.

Sipas shifrave zyrtare, Himara numëron një popullsi prej 2.822 banorë, ndërsa komuna e Lukovës, bashkimi me të cilën nuk kundërshtohet, numëron një popullsi më të madhe, prej 2.916 banorë, çka në çdo rast ndryshon raportet elektorale që PBDNJ pretendon.

Komuna Hor Vranisht është më e vogla e tre njësive që bashkohen dhe numëron rreth 2.080 banorë, sipas statistikave zyrtare. Komisioni i reformës territoriale, bazuar në qëndrimin historik zyrtar, që në fillim të punës së tij ka kundërshtuar pretendimin tjetër të PBDNj-së, se Himara është minoritet grek dhe si e tillë duhej të ndahej në njësi më vete.

Ndërkaq, në përgjigje të shqetësimit të PBDNJ-së për një ndarje jofunksionale për shkak të largësisë së njësive vendore, burime të qeverisë një ditë më parë deklaruan për TCH se reforma territoriale për këtë njësi nuk ka bërë as më shumë e as më pak, por rikthimin e kufijve 400-vjeçarë të krahinës autonome të Himarës, duke e kthyer në kufijtë e vetë natyrës së bashkëjetesës historike të këtyre zonave.

Popullsia e Bashkisë së re të Himarës:

Hor-Vranisht    2.080 popullsia banuese
Lukovë           2.916 popullsia banuese
Himarë           2/822 popullsia banuese

61 njësi vendore

Reforma e ndan territorin në 61 njësi vendore që do të quhen të gjitha Bashki. Ky ishte varianti përfundimtar i votuar një javë më parë në Komisionin e posaçëm parlamentar të ngritur për këtë çështje e të miratuar në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend.

Mazhoranca nisi punën për ndarjen e re territoriale me të ardhur në pushtet shtatorin e kaluar. I gjithë procesi që çoi në produktin përfundimtar me 61 njësi u zhvillua në konsultime me qytetarët dhe grupet e interesit dhe me asistencën e Shteteve të Bashkuara. Këtë e dëshmoi edhe prezenca e Ambasadorit Alexander Arvizu në sallën e Kuvendit gjatë votimit të reformës.

Një ditë më parë, Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi bëri publik një sondazh ku 60 përqind e qytetarëve shpreheshin në favor të reformës dhe vetëm 21 përqind ishin kundër saj.

Kundër reformës janë shprehur krerë të shumë komunave në mbarë territorin të cilët janë organizuar edhe në disa protesta sporadike. Por edhe këto qendrime kundër nuk ishin për domosdoshmërinë e reformës, por për pakënaqësitë e krijuara nga shkrirja e komunave të drejtuara prej tyre në një njësi më të madhe.

Me ndarjen e re territoriale do të zhvillohen edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin vendor.

Arvizu përshëndet miratimin e reformës

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ndoqi në llozhën e Kuvendit seancën e fundit. Ai vlerësoi miratimin e reformës territoriale dhe trajtimin e minoriteteve në Shqipëri. Ndërkohë, theksoi se me rëndësi është zbatimi i saj dhe shoqërimi me reformën e decentralizimit. 

“Qeveria e SHBA-ve ka mbështetur reformën territoriale, pasi vlerësojmë nevojën e konsolidimit të qeverisjes vendore. Gjatë gjithë këtij procesi ne e kemi theksuar që ai të kishte konsensus, gjithpërfshirje. Në këtë mënyrë do të kishte konsensusin më të madh të mundshëm kombëtar. Ashtu si çdo reformë është më e rëndësishmja zbatimi, implementimi dhe për këtë reformë, zbatim do të thotë decentralizim. Ndërsa kjo reformë zbatohet, ne e mirëpresim politikën e hershme të Shqipërisë në respektimin e minoriteteve dhe të drejtave të tyre”, deklaroi Arvizu.
 

Top Channel