Kosova ka forcuar bashkëpunimin me Turqinë dhe shtetet e rajonit për të parandaluar dhe kontrolluar vajtjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë, duke përfshirë këtu edhe kontrolle më të ashpra në aeroportet përkatëse.

Megjithatë, parandalimi i fenomenit të rekrutimit të të rinjve kosovarë mbetet peng i projektligjit që ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja, i cili nuk u miratua për shkak të shpërndarjes së Parlamentit.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Bajram Rexhepi i cilëson “bisha” ata të cilët edhe pas aktit të Lavdërim Muhaxherit marrin rrugën e Sirisë, ndërsa thekson se për momentin Kosova është një ambient i sigurtë.

“Ata të cilëve në njëfarë mënyre u është shpëlarë truri, kur i shohin ato veprime, nëse kanë pak ndërgjegje duhet të tërhiqen. Por nëse kanë marrë rrugë pa kthim, atëherë ata s’kanë lidhje me njerëzit por u ngjarjnë më tepër disa bishave. Natyrisht që ne kemi marrë masa të rrepta për të kontrolluar fluksin e lëvizjes dhe kemi një bashkëpunim të mirë me Turqinë, sepse përmes Turqisë shkojnë atje, por edhe me shtetet e rajonit pasi disa përdorin Tiranën dhe Shkupin”, ka deklaruar Rexhepi.

Rexhepi nuk ishte pjesë e takimit që presidentja Jahjaga zhvilloi një ditë më parë me krerët e institucioneve të sigurisë, por megjithatë ai thotë se lufta kundër terrorizmit është prioritet i policisë.

Sipas tij, rreziku më i madh është për ata që kthehen, që megjithatë janë nën monitorim, ndërsa ajo që duket si problem i pazgjidhur është indoktrinimi i të rinjve që bëhet qoftë nëpër xhami apo rrjete sociale, e theksuar kjo edhe në raportin e fundit të administratës amerikane për të drejtat dhe liritë fetare.

Ministri i Brendshëm thekson se në këtë mes është edhe pr/ligji që nuk është miratuar ende, i cili sipas tij ofron hapësirat e duhura të veprimit, ndërsa i bën thirrje edhe Bashkësisë Islame që të luajë si duhet rolin e saj.

“Realisht ai ligj jep hapësirë edhe më të madhe sepse aty parashikohet që thirrjet apo rekrutimi në rrjetet sociale dhe në forma të tjera të dënohen. Ndërsa Kodi Penal i ka hapësirat më të kufizuara dhe fokusohet më tepër tek të dhënat për akte terroriste. Kjo është çështje komplekse”, ka thënë Rexhepi.

Sa i përket OJQ-ve, ai thotë se Kosova ende nuk ka një listë të organizatave që në prapavijë kanë qëllime terroriste, kjo pavarësisht faktit që segmente të caktuara shumë shpesh publikojnë lista organizatash të dyshuara për terrorizëm e që shumë lehtë mund të gjenden online se veprojnë edhe në Kosovë.

“Ne ende sot nuk kemi një listë të organizatave terroriste, qoftë të atyre europiane apo të atyre amerikane dhe në të ardhmen duhet ta kemi një të tillë, në mënyrë që ose t’u ngrihet aktiviteti, ose fondet nëpër banka”, ka shtuar Rexhepi.

Aktualisht në Siri dhe Irak janë duke lufutar jo më shumë se 50 kosovarë. Institucionet u alarmuan pas aktit të njërit prej tyre, Lavdërim Muhaxherit, i cili publikoi foto duke i prerë kokën një të riu.

Prokuroria, 34 nën hetim për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke hetuar 34 persona si të dyshuar se kanë kryer vepra penale të terrorizmit, ndërsa për dy të tjerë ka ngritur aktakuzë pas proçedurës hetimore.

Kjo bëhet e ditur nga zyra e kryeprokurorit të shtetit pas interesimit të Top Channel për rastet e kësaj natyre. Thuhet se deri më 31 mars të këtij vitit Prokuroria Speciale ka pasur në punë gjithësej 10 raste të terrorizmit me 22 persona të përfshirë.

Ndërsa gjatë tremujorit të dytë, pra prill-qershor, janë dorëzuar edhe 3 kallëzime penale me 13 persona për vepra penale të terrorizmit, çka do të thotë se në punë deri në fund të qershorit kanë qenë 13 raste me 35 persona.

“Prej tyre, për 34 persona është nxjerrë vendimi për fillimin e hetimeve dhe për 2 persona është ngritur aktakuzë pas proçedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeprokurorit.

Top Channel ka mësuar se nga Kryeprokuroria është kërkuar krijimi i një grupi të veçantë hetuesish të cilët do të punonin vetëm me rastet e terrorizmit. Por kjo siç duket nuk ka ndodhur.

Sipas zyrës së institucionit të akuzës, në Prokurorinë Speciale nuk ka departament të veçantë për terrorizëm dhe as prokuror të veçantë, të cilët i trajtojnë vetëm këto raste. Në këtë organ punojnë prokurorë nga misioni i EULEX-it si dhe dhjetë prokurorë vendas.

Top Channel