Ujërat e pastra dhe klima e favorshme janë ndër elementet bazë që e bëjnë Sarandën një nga pikat më të rëndësishme vendase për të kaluar pushimet, por edhe rrethinat e saj, ndërthurur me trashëgiminë kulturore në distanca të shkurtra prej qytetit.

Plazhet e Sarandës janë të populluara kryesisht nga familjarë. Ushqimet kryesisht me baze peshkun, ndërsa shëtitorja e qytetit pranë bregut popullohet pasditeve.

Për turistët që kërkojnë të vizitojnë dhe objekte të trashëgimisë kulturore, Saranda dhe rrethinat edhe pse jo të gjitha në gjendje të shkëlqyer ofrojnë një sërë të tillash.

“Realisht në një sipërfaqje prej 1097 km katërore ndodhen mbi 118 objekte monument kulture të kategorisë së parë. Në këtë ekzistojnë dy parqe të mëdha, ai i Butrintit dhe ai i Finiqit. Ka 11 kala të periudhave të ndryshme, që nga lashtësia deri në Mesjetën e vonë, ka 21 manastire dhe kisha, dy objekte të kultit islamik, një xhami dhe një kompleks që shtrihen në Delvinë, mbi 13 vendbanime të hershme preshitorike dhe të antikitetit të vonë, mbi 32 banesa dhe pjesa tjetër janë objekte të rëndësishme që shihen në gjithë këtë hapësirë”, thotë Vladimir Demaj, përgjegjës i sektorit të kulturës.

Ksamili është një tjetër pikë turistike, pak kilometra më në jug të Sarandës, por përpara se të mbërrihet aty, të tjera plazhe të mundshme për t’u frekuentuar janë ai i pasqyrave, emër i cili sipas njerëzve të zonës është marrë për shkak të shkëmbinjëve të lëmuar që gjenden këtu e që shkëlqejnë si pasqyra në dritën e diellit.

Plazhi i Manastirit, i cili shtrihet poshtë kodrës ku gjendet Manastiri i Shën Gjergjit. Më pas Ksamili dhe katër ishujt e tij të vegjël.
Pranë Ksamilit gjendet Qyteti Antik i Butrinit një nga pikat më të rëndësishme arkeologjike shqiptare. Një kthim në lashtësi, rreth 2000 vite më parë me objekte që datojnë nga shekulli i katërt para Krishtit, si tempujt helenë, e deri tek fortifikimet otomane që i përkasin fillimit të shekullit XIX.

Një udhëtim ndryshe buzë liqenit të Butrinit, në natyrën e paprekur. 25 km nga Saranda, rrugën drejt Gjirokastrës një tjetër pasuri natyrore: Syri i Kaltër.

Burimi nënujor i thellë disa dhjetra metra me ujëra të kristalta del duke marrë formën ovale, të ngjashme me atë të syrit. Zona këtu është e rrethuar me bimësi të dendur përgjatë të gjithë vitit. Shëtitjet me varkë janë një mënyrë për të shijuar qetësinë dhe gjelbërimin e natyrës.

Top Channel