Top Story, reforma territoriale dhe Himara

31/07/2014 00:00

Në seancën e fundit të këtij sesioni mazhoranca mblodhi votat e nevojshme për të kaluar një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkonin shumicën e cilësuar të votave, më e rëndësishmja ndër të cilat reforma territoriale.

Seanca u karakterizua nga një debat mes kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe Kryeministrit Edi Rama për çështjen e Himarës. Pse kundërshtohet ndarja e re nga ana e PBDNJ-së? Cilat ishin kriteret e zbatuara në këtë ndarje? A do të ketë atë impaktin pozitiv në zhvillimin ekonomik ndarja e re?

Këto dhe të tjera pyetje morën përgjigje në takimin e fundit për këtë sezon të Top Story me gazetarin Sokol Balla. Të ftuar ishin kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, deputeti i Partisë Socialiste nga radhët e minoritetit grek, Andrea Marto, nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani dhe analisti Artan Hoxha.

Gjatë votimit, Andrea Marto megjithëse me lidhje të forta me PBDNJ-në dhe kreun e kësaj force, Vangjel Dule që kishte deklaruar votën kundër ndarjes së re, iu bashkua radhëve të mazhorancës. Pse ndryshoi qendrimi i tij nga ai i Dules?

Kësaj pyetjeje i dha përgjigje vetë Marto: “Reforma ishte e domosdoshme, e vonuar dhe mazhoranca pati guximin që ta nisë këtë. Vota ime ishte pro sepse jam në kuadër të një mazhorance. Kisha vërejtjet që një pjesë u morën parasysh. Isha për variantin e pestë që ishte me i arsyeshmi. Ku Himara bashkohej vetëm me Lukovën. Vranishti e ka larg Himarën dhe është e vështirë t’i shërbehet mirë me një qendër në Himarë”, tha Marto.

Për analistin Artan Hoxha Himara ishte më shumë një çështje e shpikur. Për të problemet e ndarjes së re qendrojnë tjetërkund. Ai tha se nuk janë respektuar njësoj kriteret në të gjithë territorin.

“Pabarazitë e zbatimit të të njëjtave kritereve nga qeveria në variantin me 61 njësi është një nga gjërat që bie në sy dhe njerëzit i revolton kjo. Pse vjen kjo pabarazi? Mungesa e metodës dhe e zbatimit të disa parimeve kyçe nga fillimi deri në fund të kësaj reforme nuk kishte si të mos çonte në një produkt as mish as peshk, si kjo me 61 njësi që doli”, tha Hoxha.

Ylli Manjani nga LSI shtoi: “Malësia e Vranishtit është përfshirë me Himarën për një tërësi arsyesh, së pari ekonomike ku ka më shumë mundësi të zhvillohet me qendër Himarën. Ka patur edhe ndikim politik, nuk mund ta mohojmë këtë, por jo me prapavijë elektorale sic thuhet. Qarqet nuk janë prekur dhe këtu do të kishte ndikim elektoral. Qarqet duhen prekur për të qenë realisht sepse 12 qarqe janë shumë për vendin tonë”.

Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela e vlerësoi reformën si një hap përpara drejt modernizimit të shtetit.

“Është hap përpara sepse modernizëm do të thotë rritje të territorit dhe popullsisë. Minoritarët janë të pavlerë sepse nuk kanë mendimin e tyre, janë të kontrolluar. Himara është shqiptare dhe kanë 100 vjet që thonë që nuk është shqiptare. Reforma synon zhvillimin e Shqipërisë dhe s’ka lidhje me Greqinë. Unë kam qenë për 30 njësi dhe atje do të shkojë, por ky është hapi i parë. Në funksion të zhvillimit kombëtar, Himara ka marrë pak. Ka ardhur koha që kapitalizmi të hyjë në fshat dhe në funksion të saj duhet me patjetër një njësi e madhe”, tha Ngjela duke shtuar se bashkitë e minoritetit nuk kan perspektivë me këtë ndarje pasi janë njësi shumë të vogla.

“Diskutimi nuk po bëhet se kujt i përket Himara, diskutimi bëhet që Himara të ketë një përfaqësues himariot. Ngjela thotë që bashkitë e minoriteti nuk kanë perspektivë, unë mendoj të kundërtën. Kanë mundësi që të zhvillohen sepse ka aktivitete”, tha Marto.

Të premten pritet bërja publike e qendrimit të PBDNJ-së nëse do të vazhdojë të qendrojë apo do të largohet nga mazhoranca. Cili do të jetë vendimi i Andrea Martos në rast të një largimi të mundshëm të PBDNJ-së nga mazhoranca?

“Unë jam zgjedhur deputet në një zonë të caktuar nga votat e socialistëve, nga lista e Partisë Socialiste dhe megjithëse kisha vërejtjet, si pjesë e mazhorancës votova pro reformës. Uroj që zoti Dule të mos largohet nga koalicioni. Uroj që Dule të qendrojë në koalicion. PBDNJ është një parti historike me kontribute”, tha ai.
Në pjesën e tretë u fol për disa nga vendimet dhe politikat e qeverisë dhe cilat kanë qenë efektet e tyre në ekonomi.

Spartak Ngjela vendosi një notë kaluese në këtë vit të parë duke vlerësuar ndërhyrjen në Lazarat dhe politikat ekonomike.

“Atje ishjte cënuar sovraniteti i shtetit, ishte një njollë e shtetit dhe këta e zgjidhën. Duhet të krijohet koncepti se cfarë do të zgjedhi tani mbrapa, ose amnisti ose do t’i dënojë me kusht. Atje ka qenë i implikuar shteti. Shqipëria ishte në rënie ekonomike, sot me intuitë mund të thuhet se ka ndaluar rënia. Për këtë vit ka përparim”, tha Ngjela.

Deputeti socialist, Andrea Marto tha: “Ka qenë një vit i suksesshëm, statusi është arritje, reformat po kryhen, rënia e ekonomisë ka ndaluar, por duhet thënë që mund të ishte bërë më shumë. Gjendja e ekonomisë ishte e jashtëzakonshme dhe duhej ndërhyrë për të ndaluar rënien. Besoj jemi në rrugë të mbarë”.

Por analisti Artan Hoxha ka një tjetër këndvështrim të gjendjes së përgjithshme. Përvec ndërhyrjes në Lazarat, në të gjitha fushat tha ai, ka përkeqësim.

“Kjo mazhorancë kur erdhi erdhi me entuziazëm. Zgjati vetëm disa javë si flakë kashte dhe tani është vënë përfund nga rrjedha e fenomeneve. Kriminaliteti në këtë 6-mujor e kemi patur në rritje, si sasi dhe si tipologji, ka më shumë aktivitet në krim të organizuar dhe krimi ordiner më i dhunshëm dhe më i guximshëm. Ekonomia nga tetori, nëntori, dhjetori 2013 dhe janari, shkurti, marsi 2014 ka rënë, transporti është në pikiatë, transporti ka rënë me 20 përqind, 3-mujorin e parë është minus 20 e ca përqind, tregtia dhe shërbimet me një rritje thuajse zero. Ekonomia është keq, pres shifrat e 3-mujorit të dytë që të dal me një mendim, por me 3-mujorin e parë shifrat janë skëterrë. Roli i qeverisë në ekonomi me paketën fiskale ka qenë negativ”, tha Hoxha.

Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani  tha se qeveria ka shfaqur një farë ndrojtje këtë periudhë dhe rënditi si arsye  kohën që iu desh për të marrë në inventar zyrtar sepse ka patur një çorganizim protokollar pa mateirale dhe këto kërkojnë kohë. “Qeveria rivendosi ekuilibrat dhe stabilitetin financiar të këtij vendi”, tha Manjani.

Në fund, të ftuarit ranë në një mendje se sfida e radhës e vendit është reforma në drejtësi, pavarësisht ndasive për mënyrën e kryerjes së saj.

Top Channel