PD: Ndërkombëtarët të hapin sytë

01/08/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama se ka ndërhyrë brutalisht në një seancë gjyqësore në këmbim të votës në Parlament.

Deputeti Oerd Bylykbashi i kërkoi ndërkombëtarëve në Tiranë që të hapin sytë, pasi sipas tij Rama është gati që të zhdukë një dëshmitar për të marrë favore politike.

“Edi Rama akuzohet se ka ndërhyrë brutalisht në një seancë gjyqësore, në favor të të akuzuarit për vrasjen e oficerit të lartë të policisë, e gjitha kjo në këmbim të votës në parlament të vëllait të të pandehurit. Teksa procesi gjyqësor ka arritur kulmin, krejt papritur policia thotë se ka humbur kontaktet me dëshmitarin kyç, pra ka humbur dëshminë që është prova kryesore në këtë proces. Edi Rama është gati të zhdukë një dëshmitar për të marrë favore politike. Me ndërhyrjen në procesin gjyqësor, Edi Rama ka vulosur përfundimisht rënien e shtetit ligjor në vend dhe ka dekretuar sundimin e mafias, interesave dhe pazareve të tij me të. Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos gjunjëzohet para këtij presioni dhe manipulimi. Ne i kërkojmë prokurorisë të hetojë urgjentisht të gjithë mekanizmin mafioz të kësaj historie mafioze, përpara se shteti i së drejtës të marrë këtë goditje të rëndë. Ndajmë me gjithë qytetarët shqiptarë tronditjen e thellë për këtë akt të paprecedent dhe i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë që të hapë sytë përpara kësaj prove të re të bashkëjetesës së krimit me qeverinë Rama-Meta”, tha Oerd Bylykbashi.

Top Channel