Grabitja në BSH, në dyshim besimi ndaj institucionit

01/08/2014 00:00

Në orët e vona të së enjtes Policia e Tiranës zbatoi urdhërat e gjykatës duke prangosur edhe pesë persona të tjerë për llogari të hetimeve për super grabitjen në Bankën e Shqipërisë.

Hetimet për këtë grabitje vazhdojnë me intensitet në fshehtësi të plotë pasi çështja konsiderohet si sekret shtetëror, por megjithatë në media kanë dalë disa detaje të tyre. E gjithë vjedhja ka vënë në pikëpyetje të mëdha institucionin qendror financiar të vendit dhe rregullatorin e ekonomisë.

Për të folur për këtë në Ëake Up e fundit për këtë sezon, këtë të premte të datës 1 gusht ishte i ftuar analisti i ekonomisë Olti Rrumbullaku dhe gazetari ekonomik në Top Channel, Klodian Tomorri.

“Ka një humbje të madhe besimi tek Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë është institucioni që duhet t’i japë besimin sistemit financiar, që bankat e nivelit të dytë janë të sigurta, funksionojnë mirë dhe në momentin që humbet besimi tek qendra, kuptohet që bie besimi në gjithë sistemin bankar”, tha Olti Rrumbullaku.

Ai shtoi se BSH ka dështuar që në ato që i cilësoi si veprime bazë, kontrollin e parasë që është A-ja e sistemit bankar, madje ka ndodhur tek arkat që bëjnë lëvizjet e përditëshme.

“Ka ndodhur një skandal që cënon të gjitha parametrat e tjera. Fakti që kjo ka ndodhur prej katër vitesh sugjeron që shuma e vjedhur mund të jetë shumë më e madhe nga kjo sa deklarohet. Për katër vite ka veprime që mund të jenë fshirë me kohën, asgjësuar me kohën dhe në momentin aktual është zbuluar vetëm pjesa e fundit tek ajo pjesë e monedhave të rihedhura në qarkullim”, deklaroi Rrumbullaku.

“Nuk mund të mendosh që maja, hierarkia apo i gjithë zinxhiri drejtues i Bankës së Shqipërisë të jetë pa përgjegjësi për këtë vjedhje që ka ndodhur për katër vite me radhë. Kjo nuk është një punë që mund të bëjnë 2 apo 3 magazinierë”, deklaroi gazetari TCH, Klodian Tomorri.

Në lidhje telefonike kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe tha se qendrimi i mbajtur pas pyetjes së Fullanit në Komision ku thuhet se “nuk jemi në kushtet për të kërkuar largimin e tij”, është qendrim i Komisionit dhe jo qendrim i tiji personal.

“Zinxhiri kontrollues i Bankës së Shqipërisë nuk ka funksionuar, ka dështuar totalisht, ka dështuar që nga treshja e famshme që duhet të administronte arkën stok dhe arkën për veprim, deri tek niveli më i lartë kontrollues i Bankës së Shqipërisë përfshirë edhe auditin e jashtëm të bankës që është paguar nga BSH. Komisioni ka kërkuar prova për anën administrative për të gjetur përgjegjësinë e gjithësecilit deri tek Guvernatori. Komisioni e ka vlerësuar si të pamjaftueshëm argumentin e Guvernatorit se sistemi ka funksionuar, ndërkohë që ka dështuar njeriu. Kjo është e papranueshme për ne”, deklaroi Braçe.

Top Channel