FRD përshëndet reformën territoriale

01/08/2014 00:00

Partia e parë opozitare që përshëndeti dhe njohu ndarjen territoriale ishte Fryma e Re Demokratike. Kryetari Bamir Topi e cilësoi mëse të nevojshme për vendin një reformë të vonuar që ai e kishte kërkuar sapo u zgjodh President i Republikes.

Kryetari i FRD-së, Bamir Topi nga mbledhja e asamblesë drejtuese të kësaj force politike tha se reforma ishte e domosdoshme dhe se duhet të nisë organizimi i partisë sipas ndarjes së re.

Megjithëse e vlerësoi si të domosdoshme reformën, Topi shprehu edhe disa pakënaqësi.

“Reforma nisi me transparencë dhe përfundoi pa transparencën e duhur. U modifikua rrugës në bazë të konjukturave politike dhe më e rëndësishmja në mungesë të opozitës”, tha Topi.

Më tej kreu i FRD-së kritikoi edhe qendrimin e Partisë Demokratike, e cila sic tha ai, e paragjykoi nga fillimi në fund këtë proces dhe braktisi interesat e qytetarëve që e kanë votuar duke mos dhënë kontributin e saj në këtë ndarje të re.

Në këto 23 vite në parlament ka patur situata të vështira, debate të ashpra por gjithmonë ka patur një akord në fund mes palëve. Por këtë herë ndodhi braktisja e një procesi nga fillimi në fund mbi bazën e një paragjykimi që  asnjëherë nuk ka ndodhur më parë të braktisen e fatet dhe interesat e njerëzve që mbeten jashtë loje sepse kështu duan disa personazhe që kishin projektuar me ndarjen e deritanishme pashallarë komunash. Disa kryetarë komunash zgjidheshin dhe rizgjidheshin për t’u bërë pashallarë që i bënin dëm demokracisë”, u shpreh Topi.

Topi tha se Partia Demokratike po mbahet peng nga një person i vetëm, ndërsa foli edhe për projektet e FRD-së për të ardhmen.

“Strukturat e partisë duhet të përgatiten që në shtator të identifikojnë personat e mundshëm, kandidatë potencial dhe po në shtator do të monitorojmë situatën politike për të parë të gjitha mundësitë e komunikimit dhe bashkëpunimit politik në perspektivë me të gjitha forcat politike”, deklaroi Topi.

Top Channel