Flamurtari zyrtarisht në duart e turqve

01/08/2014 00:00

“TRK” dhe “Atlasjet” janë pronarët e rinj të Flamurtarit. Pas shumë e shumë bisedimesh tashmë gjithçka është bërë zyrtare. Këshilli Bashkiak i Vlorës i ka dhënë fund “odisesë” së privatizimit të klubit duke i dhënë dritën jeshile kalimit të klubit në duart e turqve që do të jenë dhe drejtuesit e rinj të skuadrës së Flamurtarit.

Donatorët që kanë ardhur në Vlorë kanë premtuar investime të mëdha dhe projekte që do të marrin jetë shumë shpejt. Sinan Idrizi është dhe përfaqësuesi i palës turke, njëkohësisht udhëheqësi i këtij grupi që do të menaxhojë Flamurtarin.

Nga dita e enjte “TRK” dhe “Atlasjet” do të ketë të drejta të plota mbi ekipin kuqezi dhe do të marrë vendime pa u ndikuar nga Bashkia e Vlorës. Kështu mbyllet një epokë në skuadrën e Flamurtarit, ku pas shumë kohësh Shpëtim Gjika nuk do të jetë më presidenti i ekipit.

Viti i fundit në futbollin tonë dëshmoi që Flamurtari kishte nevojë për investime, pavarësisht se këta të fundit arritën të fitonin Kupën e Shqipërisë ndaj Kukësit. Është premtuar për një Flamurtar të madh, me lojtarë të mëdhenj dhe me investime të jashtëzakonshme për vendin tonë, ku pjesa më kryesore do të jetë padyshim investimi në infrastrukturën sportive, jo vetëm në atë të futbollit, por në të gjithë sportin vlonjat.

Gjithçka mbetet për t’u parë, por pritshmëritë janë të mëdha. Skuadra e Flamurtarit nën drejtimin e kompanive turke dhe drejtuesve të rinj, do të jetë një ekip me ambicie dhe do të tentojë të kryesojë kudo në futbollin shqiptar dhe jo vetëm.

Prej disa kohësh është premtuar gjithashtu edhe një stadium i ri në qytetin e Vlorës dhe janë pikërisht donatorët e rinj që kanë marrë përsipër të bëjnë realitet ëndrrën e tifozëve vlonjatë.

Top Channel