Mbyllen programet me pak studentë

01/08/2014 00:00

Ministria e Arsimit ka vendosur mbylljen e 63 programeve në universitet publike.

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Mazniku, tha se në këto programe nuk u miratua asnjë kuotë pasi në to nuk regjistroheshin më pak se 10 studentë, niveli i mesateres ishte shumë i ulët dhe në disa prej tyre nuk respektohej as kriteret ligjore si cilësia dhe infrastruktura.

“Ligji i arsimit lartë thotë që një program që nuk merr të paktën 10 studentë nuk mund të hapet si program. Të gjithë ato programe që kishin më pak se 10 të regjistruar vitin që shkoi, këtë vit nuk kanë marrë më një kuotë pasi kërkesa ishte aq e ulët sa nuk kishte logjikë që të kishte një program”, shpjegon Mazniku.

Por, edhe tarifat për programe të ndryshme studimi janë rritur me kuota që shkojnë nga 20 deri në 45 mijë lekë në vit. Zëvendëministri i Arsimit tha se kuotat janë rritur me 15 deri në 17%: “Po i japim mundësi universiteteve që nëpërmjet financimit publik, por edhe të ardhurave nga pagesa e tarifës për studim ta përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe të infrastrukturës duke çuar më shumë energji në atë që është parimi thelbësor i programit të qeverisë në lidhje me arsimin e lartë, që është përmirësimi rrënjësor i cilësisë së arsimit të lartë.”

Zoti Mazniku tha se këtë vit janë miratuar 2.742 kuota më pak sesa kërkuan fakultetet, ndërkohë që numri total i studentëve që do të kenë të drejta studimi është 19.727. Këto kuota janë miratuar pas një analize të Ministrisë së Arsimit e cila ka saktësuar se vitin e shkuar edhe pse ishin miratuar 29 mijë e 390 kuota, realisht në universitete janë regjistruar 23 mijë e 689 të rinj.

Top Channel