Sëmundja infektive e Ebolës, prej së cilës kanë humbur jetën 729 persona në Afrikën Perëndimore, ka shkaktuar frikë dhe panik te qytetarët, të cilët në pikun e sezonit turistik lëvizin masivisht për të pushuar në destinacione të ndryshme.

Kjo sëmundje infektive, e cila është e ngjashme me ethet hemorragjike, është përhapur në njerëz nga lakuriqët e natës, por transmetohet dhe nga njeriu te njeriu.

Sipas ekspertes së sëmundjeve të rrezikshme, Silva Bino, kjo sëmundje ka simptoma si temperaturë, lodhje dhe shenja të ngjashme me sëmundje të tjera.

“Ebola është një sëmundje infektive virale, e cila paraqet fenomene hemorragjike dhe bën pjesë në grupin e etheve hemorragjike virale. Vjen te njeriu si rezultat i kontaktit të tij me lakuriqët e natës. Më pas, sëmundja transmetohet nga njeriu te njeriu. Ebola shfaqet me temperaturë, të sëmurit i rëndohet gjendja shëndetësore nga pikëpamja e temperaturës, lodhjes, djersitjes. Pra, shenjat e para janë shenja jospecifike, të ngjashme me çdo sëmundje tjetër infektive. Ajo që e dallon është rraskapitja e madhe e personit dhe pastaj fillojnë fenomenet hemorragjike. I sëmuri kullon gjak”, shprehet Silva Bino.

Por, në fakt, a duhet njerëzit të kufizojnë lëvizjet e tyre nëpër aeroporte, ku shkëmbehen njerëz nga vende të ndryshme të botës, madje edhe nga vende të prekura si Guinea, Sierra Leone, e të tjera? Madje një nigerian i infektuar me virusin e Ebolës u tha se kishte ndërruar disa avionë.

Bino bën apel për kujdes ndaj higjenës dhe jo për të kufizuar udhëtimet dhe që sistemi duhet të jetë i përgatitur, që nga aeroportet, deri te spitali infektiv dhe laboratoret.

“Dua të theksoj se ne nuk kemi qarkullim të Ebolës në Shqipëri dhe nuk kemi pasur, ashtu sikurse as importim. Shqipëria nuk bën pjesë te vendet me rrezikshmëri të lartë, por nuk është e përjashtuar. Ne nuk është se duhet të kemi frikë, të krijojmë panik dhe të mos udhëtojmë, sepse OBSH nuk lëshon një alarm të tillë, por alarmin për të pasur kujdes, pra për të larë duart vazhdimisht dhe për të mos prekur sytë apo mukozat vend e pavend, por për të marrë masat karakteristike të higjenës. Kjo është për popullatën. Në lidhje me sistemin tonë shëndetësor, ne duhet të jemi të përgatitur gjithnjë, dhe ky është një element shumë i rëndësishëm, që nga aeroporti i Rinasit e deri te spitali infektiv”, shtoi më tej Silva Bino.

Sëmundja e Ebolës është shfaqur në muajin Mars dhe rastet kanë ardhur duke u shtuar. Shqipëria, deri më tani, ka shënuar 10 raste me ethe hemorragjike, sëmundje e cila nuk transmetohet nga njeriu te njeriu.

Top Channel