Rusia, stërvitje për rezervistët e ushtrisë

01/08/2014 00:00

Ministria ruse e Mbrojtjes ka planifikuar të mobilizojë rezervistët ushtarakë anembanë vendit për 2 muaj, të cilët do t’i nënshtrohen stërvitjeve me armët e reja, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Moska ka përdorur në të kaluarën stërvitje të tilla për të shtuar numrin e ushtarëve të saj në kufirin me Ukrainën. Në Perëndim ekziston shqetësimi se forcat ruse mund të ndërhyjnë në konfliktin mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro-rusë në Lindje të Ukrainës.

Stërvitjet ishin planifikuar Nëntorin e kaluar, tha Ministria e Mbrojtjes, e do të zgjasin nga Gushti deri në Tetor.

“Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet zotërimit të armëve të reja dhe të modernizuara nga ana e rezervistëve të ushtrisë, pajisjeve ushtarake dhe speciale, ashtu si dhe përdorimit të tyre”, citohet të jetë bërë e ditur nga Ministria, sipas Interfax.

Ndryshe nga shumica e qeverive të Perëndimit, Rusia po forcon ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes, si dhe synon të shpenzojë 21 trilionë rubla (586 miliardë dollarë) deri në fund të dekadës, për të përmirësuar armët dhe teknologjinë.

Top Channel