Ebola, OBSH: Po përhapet shumë shpejt

01/08/2014 00:00

Shpërthimi i Ebolës në Afrikën Perëndimore po ndodh më shpejt nga përpjekjet për ta kontrolluar atë, ka bërë të ditur shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH-WHO), Margaret Chan.

Në një samit të liderëve rajonalë, ajo ka thënë se dështimi për ta frenuar atë do të ishte “katastrofik” në lidhje me humbjet e jetëve. Por, ajo tha se virusi, i cili ka marrë jetët e 729 personave në 4 shtete të Afrikës Perëndimore që prej Shkurtit, mund të ndalet nëse menaxhohet siç duhet.

Ebola shkakton vdekjen e thuajse 90% të të prekurve me këtë virus. Ai përhapet përmes kontaktit me gjakun e infektuar, lëngjeve trupore, apo organeve, si dhe mjediseve të ndotura.

Simptomat fillestare, që i përgjajnë atyre të një gripi, çojnë në hemorragji të jashtme në zona të caktuara, si sytë apo mishrat e dhëmbëve, si dhe gjakrrjedhje të brendshme, gjë që mund të çojë edhe në mosfunksionim të organit të prekur.

Doktoresha Chan u takua me liderët e vendeve më të prekura nga ky virus; Guinea, Liberia dhe Sierra Leone; për të nisur planin e veprimit kundër Ebolës në vlerën e 100 milionë dollarëve.

“Ky takim duhet të shënojë pikën e kthesës në përgjigjen ndaj shpërthimit të këtij virusi”, tha Chan në samitin e mbajtur në kryeqytetin e Guinesë, Conakry.

“Rastet po zbulohen në zonat rurale, të cilat janë të vështira për t’u aksesuar, por edhe në qytetet e mëdha me dendësi të madhe popullsie”, tha ajo, duke shpjeguar se përhapja e këtij virusi është më i madhja dhe më vdekjeprurësja në botë, sa i përket zonave gjeografike.

Top Channel