Avioni, hetuesit gjejnë eshtra njerëzish

01/08/2014 00:00

Një ekip prej 70 ekspertësh mjeko-ligjorë nga Holanda dhe Australia kanë gjetur eshtra njerëzish në vendin e rrëzimit të avionit MH17, në Lindje të Ukrainës.

Ata i zbuluan mbetjet në ditën e parë të plotë të kërkimeve në vendngjarje, një zonë prej rreth 35 km2, brenda zonës së konfliktit mes forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë.

Ekipet lokale të kërkimeve gjetën 227 prej 298 viktimave të incidentit, që u dërguan në Holandë për identifikim. Luftimet vazhdojnë ende në këtë zonë, teksa 10 ushtarë ukrainas janë vrarë diku pranë gjatë së enjtes.

Përplasja mes forcave qeveritare të Kievit dhe rebelëve separatisë pro-rusë kishin ndaluar më herët futjen e hetuesve ndërkombëtarë në zonën e rrëzimit të avionit.

Një “Boeing 777” i “Malaysia Airlines” u rrëzua më 17 Korrik në Lindje të Ukrainës, duke shkaktuar 298 viktima, përfshi pasagjerë dhe ekuipazh, të cilët po fluturonin nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit.

Vetëm pasi ushtria ukrainase deklaroi ndalimin njëditor të njëanshëm të operacioneve ushtarake kundër rebelëve në rajonin e Donjeckut, gjatë së enjtes, një vizitë eksploruese u bë në vendngjarje nga ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët mundën të gjithë të kishin akses gjatë së premtes.

Tashmë është e paqartë, nëse zona kontrollohet nga ushtria e Ukrainës apo forcat separatiste, pasi luftimet vazhdojnë në rajonet fqinje, madje edhe në Karkiv.

Kreu i misionit kërkimor, Pieter-Jaap Aalbersberg, njoftoi se ekspertët kanë përmbyllur ditën e parë të punës dhe kanë rikuperuar eshtrat njerëzore, të cilat do të dërgohen në Holandë për identifikim. Ai tha se misioni do të zhvendoset në një bazë të re në fshatin Soledar të Donjeckut.

Hetuesit kanë udhëtuar me një autokolonë prej 16 automjetesh në vendngjarje, jashtë fshatit Grabove, së bashku me monitoruesit nga OSBE-ja.

Top Channel