Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Koalicionit pas zgjedhor nga LDK-AAK-NISMA do të ballafaqohen më 21 gusht për të mbrojtur pretendimet e tyre të ngritura në Gjykatën Kushtetuese rreth ligjshmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese tanimë edhe zyrtarisht i ka njoftuar përfaqësuesit e dy blloqeve politike se do të ketë seancë dëgjimore më 21 gusht në Gjykatë për të dëgjuar argumentet shtesë rreth ngjarjes që ka ndodhur në seancën konstituive të Kuvendit.

Përfaqësues nga të dyja blloqet kanë treguar për Top Channel se janë të gatshëm për ballafaqim të argumenteve në seancë dëgjimore.

Megjithëkëtë, ballafaqimi i politikanëve në Gjykatë nuk do të jetë njësoj sikur në seancat e Kuvendit, ku deputetët përdorin jo rrallëherë fjalor jo institucional dhe bëjnë zhurmë derisa diskutojnë.

Sipas rregullores së punës së Gjykatës, nëse gjatë zhvillimit të seancës dëshmore ndonjëra palë shkakton ndonjë zhurmë apo provokim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të kërkojë përjashtim nga seanca.

Seanca dëgjimore sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe nenit 39 të rregullores së punës së Gjykatës parashikohet të jetë e hapur për publikun.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, gjyqtarët e Kushtetueses pritet të vendosin rreth ligjshmërisë së zgjedhjes së kryeparlamentarit të Kosovës.
 

Top Channel